Takimet e Mynihut, aktivitet i organizuar nga Shoqëria e akademikëve shqiptarë DIJA
Mynih, 13 nëntor 2016 - Ministri i Diasporës Valon Murati dhe zëvendësministri i Brendshëm i RKS-së Nehat Mustafa, si dhe konsujt e përgjithshëm të Shqipërisë dhe Kosovës Arten Hanku dhe Naser Idrizi, morën pjesë në simpoziumin Shkëmbimi gjermano-kosovar nëpërmjet migrimit qarkor të organizuar nga Shoqëria e akademikëve shqiptarë Dija.Organizimi i këtij simpoziumi këtë vit, bëhet në vazhdën e traditës disa vjeçare të organizimit të aktiviteteve të tilla nga Shoqëria DIJA, në kuadër të Takimeve të Mynihut.
Pas hapjes së aktivitetit nga kryetari Shoqërisë DIJA Eshref Januzaj, simpoziumin e përshëndetën me një fjalë rasti konsulli i përgjithshëm i RSH Arten Hanku, ministri i Diasporës Valon Murati, zëvendësministri i Brendshëm i RK Nehat Mustafa, si dhe një përfaqësues i ministrisë së Çështjeve Sociale të Landit të Bavarisë.
Në diskutimet në panelin e Simpoziumit, ministri Murati, theksoi se migrimi qarkor si dukuri, nuk duhet ta trajtojmë vetëm si një mundësi për punë të përkohshme në Gjermani, por edhe si mundësi që përmes projekteve të ndryshme të angazhojmë potencialet intelektuale, profesionale dhe biznesore të diasporës sonë, për të ardhur dhe për tu angazhuar në Kosovë në baza të përkohshme dhe të përhershme në fushën akademike, në biznes, në fushën e ofrimit të këshillave profesionale etj.
Duke treguar për projektet aktuale të Ministrisë (si puna praktike për studentët nga diaspora, dhe bashkëpunimi me GIZ-n, në një projekt të angazhimit afatshkurtër të ekspertëve nga diaspora jonë në Gjermani), ai theksoi se përqendrimi në këtë lloj të migrimit, do të ndikojë pozitivisht për organizimin e projekteve të ngjashme në të ardhmen, si dhe do ti japë impulse të mëtejshme zhvillimit të vendit.