Follow us on:

Delegacioni i ekspertëve gjerman nga Republika Baden - Württemberg vizitoi Kosovën

Prishtinë, 27 qershor 2017 - Një ekip i eksperteve në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional nga landi Baden- Württemberg (BW) qëndroi në Kosovë për të parë nga afër ecurinë e arsimit profesional në vend. Delegacioni shoqërohej nga konsujt e Republikës Kosovës në Stuttgart, Besnik Miftaraj dhe Arjan Kashtanjeva, të cilët ishin edhe iniciatorët dhe arritën realizimin e këtij projekti.

Delegacioni u prit nga Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, i cili shprehu gatishmërinë për mbeshtetje dhe falënderoi mysafirët për interesimin e tyre në avancimin e arsimit profesional, pasi Gjermania është shembull i sistemit dual.
Gjithashtu, delegacionit mirëseardhje i dëshiruan edhe deputetet, Elmi Reqica dhe Ganimete Musliu, të cilët falënderuan ekspertët për fillimin e një projekti në avancimin e arsimit profesional në Kosovë, që është prioritet kyq për zhvillimin e vendit.

Delegacioni kishte takime edhe me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, por edhe me Ambasadën Gjermane dhe GIZ-in. Pas takimeve në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe Agjensisë për Arsim dhe Aftësim Profesional, delegacioni u prit nga nënkryetari i Skenderajt, Fadil Nura, për të vazhduar vizitën tek Qendra e Kompetencës në Skenderaj dhe Ferizaj. Gjatë takimit me drejtorin dhe mësimdhënësit e QKM në Skenderaj u arritë pajtueshmëria, që gjatë këtij viti të realzihohen disa trajnime për mësimdhënësit profesional nga kjo shkollë në Gjermani dhe Kosovë, që organizohen nga akademia e landit BW.

Gjithashtu, është shprehur një interesim për një bashkëpunim afatëgjatë, duke krijuar partneritet mes shkollave dhe institucioneve përkatëse. Për të parë nga afër nevojën e punëtorve profesional, delegacioni vizitoi edhe disa kompani, të cilat shprehen nevojën për personel të kualifikuar, posaqërisht në anën praktike. Gjatë vizitës, delegacioni kishte takime më të gjithë akterët që janë të kyqur në arsimin profesional dhe qëllimi ishte që të ketë bashkërendime mes akterve relevant.

Delegacioni ishte i deleguar nga Ministria e Kulturës dhe Arsimit e landit dhe i udhëhequr nga Sigrid Roth- Berlin, e cila është drejtoreshë e zyrës ndërkombëtare e akademisë së landit Baden - Württemberg. Akademia e landit BW është përgjegjëse për kualifikimin e mbi 22 mijë mësimdhënësve profesional që përfshinë 260 profesione në Baden- Württemberg.