Follow us on:

Në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Milano mbahet ekspozita për 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

14 shkurt, 2019 - Me rastin e 11 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Milano u shfaq ekspozita e dy artistëve kosovarë, Bajram dhe Fahrije Mehmeti.

Dy artistët, që vijnë nga komuniteti rom i Kosovës, janë të lidhur ngushtë me traditat dhe kulturën e Kosovës dhe nëpërmjet artit ata nxjerrin në pah zakonet, traditat dhe ngjyrat e komunitetit të tyre që jeton në Kosovë.

Seria e veprave të tyre ngërthejnë jetën e përditshme dhe portretet e grave rome, duke shpërfaqur mënyrën e tyre shumë-ngjyrëshe të veshjes dhe jetesën e tyre.

Shumë ekspozita të tjera janë organizuar me veprat e tyre, dhe një nga pikturat e artistit Mehmeti i është dhuruar Atit të Shenjtë në Vatikan.

Kjo ekspozitë u pasurua edhe me veshjet e dizajnuara nga dy dizajnerët e rinj kosovarë: Etnik Shala, i cili në koleksionin e tij \"Korniza\" ka kombinuar stilin modern me traditën, duke futur imazhe nga muzeu Marubi në rrobat e tij dhe Besa Neziri Rugova, linja e së cilës \"Besa\" me qendër në Nju Jork, është frymëzuar nga gratë e reja dhe të fuqishme kosovare.

Fotografitë e veshjeve tradicionale nga arkivi i Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe vizatimet e bëra nga nxënësit e Shkollës së Arteve \"Adem Kastrati\" në Gjilan kanë qenë vlerë e shtuar e ekspozitës.
Në inaugurim morën pjesë autoritetet e komunës së Milanos, rajonit të Lombardisë, Korit Konsullor, përfaqësues të botës akademike, dashamirët e artit dhe përfaqësues të ndryshëm të shoqatave kosovare në Itali dhe disa OJQ.

Fondacioni falënderon Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, e cila organizoi dhe mbështeti projektin; Muzeun Kombëtar të Kosovës; Shkollën e Arteve \"Adem Kastrati\" në Gjilan; Znj. Bukurije Gjonbalaj, koordinatore nga Kosova, e cila gjithmonë ka mbështetur aktivitetet e lidhura me artin dhe modën; Znj. Rossella Bezzecchi, koordinatore e këtij projekti nga ana italiane; Znj. Liburneta Xhemajli Pacolli, e cila me mirësi ka siguruar një veshje tradicionale kosovare.

Në fund, Fondacioni falënderon mysafirët nga Milano, Prishtina, Tirana, Lugano, dhe Venecia për praninë e tyre në këtë ngjarje të rëndësishme dhe në veçanti, znj. Ita Klinger, që vjen nga një familje e rëndësishme Lombardi, e cila e prekur nga historia e artistëve dhe e impresionuar nga talenti i tyre i pabesueshëm, ka pasuruar koleksionin e saj artistik me disa nga veprat e tyre.

Ky projekt kishte për synim të nxirrte në pah artistët e rinj dhe përmes tyre t`i jepte pjesëmarrësve një përshtypje mbi traditat e bukura dhe të pasura të përbëra nga harmonia dhe toleranca mes kulturave të ndryshme të pranishme në shtetin e ri të Kosovës.