Astrit Zemaj u lind më 8 qershor 1974 në Strellc të Epërm të komunës së
Deçanit.
Studimet themelore dhe pasdiplomike për ekonomik dhe menaxhim, si dhe
marrëdhënie ndërkombëtare i kreu në Kosovë dhe Gjermani.
Në tetor të vitit 2009, Astrit Zemaj iu bashkua shërbimit diplomatik
dhe konsullor të Republikës së Kosovës dhe u emërua Konsull i Republikës së
Kosovës në Frankfurt (Gjermani). Nën drejtimin e tij, në vitin 2009 është
themeluar dhe konsoliduar me sukses Konsullata e parë e Republikës së Kosovës
në Frankfurt, në të cilën ai ka ushtruar funksionin e Shefit të Misionit
Konsullor deri në nëntor të vitit 2015. Nga nëntori 2015, ai është transferuar
në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin, në pozitën e zëvendës-ambasadorit.
Në muajin dhjetor 2017, ai është emëruar " I ngarkuar me punë i
përkohshëm (Chargés d'affaires ad Interim)" në krye të Ambasadës së
Republikës së Kosovës në Gjermani.
Gjatë viteve të nëntëdhjeta, Astrit Zemaj është angazhuar aktivisht në
proceset politike dhe ushtarake për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Pas
përfundimit të luftës në Kosovë, Zemaj ka ka marrë pjesë në operacionet
stërvitëse të forcave të SHBA-ve dhe të NATO-s, në kuadër të misioneve
paqeruajtëse për Kosovën.
Në vitin 2013 ka botuar librin me titull: „Legjitimiteti i
intervenimit humanitar ushtarak në Kosovë“. Libri është promovuar në
New York dhe në Frankfurt, dhe për ketë në vitin 2014 nga ana e Kolegjit Monroe
në New York të SHBA-së është nderuar me çmimin prestigjioz "Nderi i
Kolegjit Moroe“ .
Ndërsa në vitin 2017 ka botuar librin e dytë " Evropa në
udhëkryq-Lindja dhe ngritja e Rajhut të Tretë në Gjermani, 1918-1939", i cili është një studim i vetëm i këtj lloji në gjuhën shqipe rreth
gjendjes në Gjermani nga këndvështrimi politik, diplomatik, ushtarak dhe
ekonomik, ndërmjet dy luftërave botërore, 1918-1939.
Përveç gjuhës amtare - shqipe, Astrit Zemaj flet dhe e shkruan rrjedhshëm
edhe gjuhën angleze, atë gjermane, si dhe atë serbo-kroate.
Në kuadër të shërbimit të jashtëm, jeton dhe punon në Berlin të Gjermanisë së bashku me familjen. Është i martuar dhe ka katër fëmijë, tri vajza dhe një djalë.