Follow us on:

Zëvendëskryeministri Thaçi fton biznesmenët gjermanë të investojnë në Kosovë

Berlin, 27 nëntor 2015 – Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vazhduar agjendën zyrtare në kryeqytetin gjerman – Berlin. Ai sot ka marrë pjesë edhe në Forumin Ekonomik gjermano-kosovarë në Berlin.

Në këtë forum është biseduar për mundësinë e investimeve gjermane në Kosovë dhe shtimin e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy shteteve. Forumi Ekonomik gjermano-kosovarë në Berlin është organizuar Shoqata Gjermano-Kosovare për Bashkëpunim Ekonomik dhe Oda Ekonomike e Kosovës.
 
Duke folur para shumë afaristëve gjermanë dhe kosovarë, zëvendëskryeministri Thaçi ka thënë se ekzistojnë potenciale të mëdha për rritjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy shteteve tona.
 
“Kosova, si shtet i ri në Evropë është vend i mundësive të reja, veçanërisht për investitorë seriozë që gjithnjë e më shumë po e rrisin praninë në tregun tonë”, ka thënë Thaçi.
 
Në hapjen e punimeve të këtij forumi, për pozitën e Kosovës dhe përkrahjes që duhet ta gëzojë nga Gjermania ka folur edhe Ministri Federal për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Gerd Muller.
 
Ministri gjerman ka folur për stabilitetin dhe paqen, që sipas tij janë parakushte për çdo zhvillim ekonomik. Ai ka folur për aspekte të ndryshme të zhvillimit në Kosovë, me fokus në popullatën e re, nën 25 vjeç, ku një pjesë e madhe e tyre janë të papunë dhe për nevojën që të arsimohen në drejtime profesionale.
 
Muller ka thënë se kusht për zhvillim ekonomik të Kosovës është edhe stabiliteti energjetik. “Që të vijnë investitorët serioz në Kosovë nevojitet edhe rritja e efikasitetit të administratës, e cila nënkupton edhe krijim të lehtësirave në procedura, moszvarritje dhe funksionim sa më efektiv të ligjit”, ka thënë ministri Muller.
 
Ndërsa, Kryetari i Shoqatës Gjermano-Kosovare, Friedbert Pflüger, duke kujtuar sesi para 15 vjetëve ai vizitonte vetëm ushtarët e KFOR-it gjerman, tha se tash ka shpesh edhe vizita biznesore dhe rezultate konkrete të bashkëpunimit ekonomik midis Gjermanisë dhe Kosovës.
 
E pranishme në këtë forum ishte edhe sekretarja parlamentare e shtetit dhe ministrja Federale e Punës dhe Çështjeve Sociale, Anette Kramme, e cila foli për rrugët e reja që po ndjek politika gjermane lidhur me emigrantët nga Ballkani.
 
Ndryshe, në këtë forum, bashkë me zëvendëskryeministrin Thaçi ishin edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami.