Follow us on:

Në Berlin u dorëzuan dy pasaportat e para të Republikës së Kosovës për qytetarët e Kosovës që jetojnë në Gjermani

Të martën, më datë 26.07.2010, me një ceremoni rasti në Shërbimin Konsullor pranë Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin, është bërë dorëzimi i dy pasaportave të para për qytetarët tanë që jetojnë dhe punojnë në Gjermani.

Visar Shala nga Peja, me vendëbanim në Berlin dhe Avdullah Daqaj nga Krajku i Prizrenit, me vendbanim në Hamburg, janë dy qytetarët e parë të Kosovës që kanë marrë pasaportat e Republikës së Kosovës në Gjermani. Ata kishin aplikuar më datën 07.07.2010, ndërsa në afatin prej vetëm 20 ditësh, më datë 27.07.2010, kanë marrë pasaportat e Republikës së Kosovës.

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Berlin, Dr. Vilson Mirdita, me rastin e dorëzimit të pasaportave të para për qytetarët tanë jashtë atdheut tha se kjo është një ditë e shënuar  si për qytetarët tanë që jetojnë dhe punojnë jashtë atdheut, ashtu dhe për institucionet e Republikës së Kosovës që po konsolidohen dhe funksionalizohen gjithnjë e më tepër.

Konsulli, Milazim Vllasaliu dhe zëvendëskonsulli, Hamdi Reqica, me këtë rast theksuan se shërbimi konsullor pranë kësaj ambasade tani kryen një mori shërbimesh për qytetarët tanë jashtë atdheut, duke filluar nga lëshimi i fletudhëtimeve, pasaportave për qytetarët që kanë letërnjoftimet e reja të Kosovës, lirimin apo fitimin e shtetësisë së Kosovës, regjistrimin e fëmijëve të lindur jashtë atdheut, regjistrimin e kurorëzimeve të qytetarëve tanë në Gjermani dhe një mori vërtetimesh për nevoja të ndryshme të qytetarëve tanë që jetojnë në këtë shtet. Ata u shprehen optimist se gjerë në fund të këtij viti apo në fillim të vitit të ardhshëm do të mund t’i pajisin me dokumente udhëtimi edhe qytetarët tanë që posedojnë  pasaporta të skaduara të UNMIK-ut apo të ish shteteve të mëparshme.