Follow us on:

Ambasada e Kosovës në Berlin feston 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Berlin, 15 mars 2018 - Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani ka organizuar ceremoni festive në përvjetorin jubilar me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Ceremonia festive është mbajtur një ditë pas betimit të qeverisë së re gjermane, në njërin nga ambientet më reprezentative të Berlinit, Atriumi i Bankës Gjermane. 


Në këtë eveniment madhëshor, kanë marrë pjesë mbi 400 mysafirë, në mesin e të cilëve deputetë të strukrurave të nivelit të parlamentit federal dhe parlamenteve të landeve gjermane, sekretarë të shteteve nga ministritë federale, ushtarakë të lartë të Bundeswehrit, policisë gjermane, sektorit të ekonomisë, kulturës dhe artit, dhjetra ambasadorë dhe përfaqësues diplomatikë të rangjeve të ndryshme nga vendet e akreditura në Berlin si dhe përfaqësuës të diasporës sonë në Gjermani.


Pas intonimit të himnit kombëtar dhe shtetëror, i ngarkuari me Punë në Ambasadën e Kosovës në Gjermani, Astrit Zemaj,  fillimisht e ka lexuar shkresën përshendetëse në gjuhën angleze të drejtuar publikut nga ana e zv.KM/MPJ Pacolli, i cili për shkak të agjendës nuk ka pasur mundësi të jetë prezent në ketë mbramje. 


Pas kësaj Zemaj u është drejtuar pjesëmarrësve me një fjalim në gjuhën gjermane, ku përpos tjerash ka folur për rrugëtimin e vendit tonë gjatë viteve dhe dekadës së fundit, procesit të shtetformimit, bashkëpunimit të mirë në të gjitha nivelet me shtetin gjerman si dhe synimet e vendit tonë drejt integrimeve euro-atlantike. Me theks të veçantë ai ka falënderuar popullin dhe shtetin gjerman për përkrahjen në të gjitha proceset, partneritetin e ndërtuar ndër vite si dhe rrugëtimin e përbashkët drejt të ardhmes. 


Në gjuhën shqipe, po ashtu Zemaj e ka përshëndetur edhe diasporën tonë si dhe i ka falënderuar ata për kontributin e tyre për vendin. 

Me nje fjalë përshendetëse në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës,  publikut iu është drejtuar edhe ministri Dardan Gashi, i cili gjatë kësaj periudhe gjendej me një vizitë zyrtare në Gjermani.


Pjesa e dytë e programit ka vazhduar në rrafshin kulturor përmes një ekspozite të hapur të përgaditur nga sektori për kulturë në Ambasadë me fotografi të dërguara nga MPJ, dhe në prapavij me muzikë klasike shqipe (CD) si dhe pjesa e fundit një darkë e pëbashkët me ushqime kryesisht tradicionale.