Follow us on:

Stuttgart, Ministri Konjufca mori pjesë në manifestimin për 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Stuttgart, shkurt 2020 - Konsullata e Përgjithshme në Stuttgart festoi 12-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ku të pranishëm ishin: Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Diasporës, z. Glauk Konjufca; ish- presidentja znj. Atifete Jahjaga; Ministrja e Shtetit të landit Baden- Württemberg, znj. Theresa Schopper; nënkryetari Parlamentit Evropian, z. Rainer Wieland; këshilltarja e shtetit, znj. Gisela Erler; deputet të Bundestagut dhe Landtagut; diplomatë të shumtë të akredituar në Stuttgart; zyrtarë nga institucionet në Baden- Württmeberg si dhe bashkatdhetarë të shumtë.

Drejtuesi i Konsullatës së Përgjithshme, z. Imer Lladrovci, si nikoqir, falenderoi të pranishmit për prezencën e tyre dhe vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes Kosovës dhe Baden- Württembergut. Gjithashtu, ai pasqyroi ecurinë e krijimit të marrëdhënieve diplomatike dhe 10-vjetorin e hapjës së Konsullatës së Republikës së Kosovës në Stuttgart.

Ministri, z. Konjufca, nga ana e tij, falenderoi mysafirët gjerman për kontributin e tyre, duke potencuar se Gjermania është një ndër shtetet më të rëndësishme për Kosovën, dhe vuri në pah lidhjet e ngushta mes dy shteteve, të cilat siç tha ai, kanë një histori të gjatë. Po ashtu, Ministri vlerësoi kontributin e Diasporës, e cila tha se është urë lidhëse mes Kosovës dhe Gjermanisë.

Ministrja e shtetit, znj. Schopper gjatë fjalës përshendetëse, vlerësoi të arriturat e Kosovës dhe shprehu përkrahjen e vazhdueshme për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve mes dy shteteve. Po ashtu, ajo pasqyroi përvojën e saj me rastin e vizitës në maj 2018 në Kosovë.

Në kuadër të manifestimit festiv u zhvillua edhe një debat me panelistë të shquar nga jeta politike në Kosovë dhe Gjermani. Në mesin e tyre ishin nënkryetari i PE, z. Rainer Wieland, këshilltarja e Shtetit, znj. Gisela Erler; ish- presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga; ish-kryeadministratori i UNMIK-ut, z. Joachim Rücker; si dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, z. Beqë Cufaj. Gjatë debatit shumë konstruktiv, nga të gjithë panelistët u vlerësuan të arriturat e Kosovës dhe mbi të gjitha potencialin që ka Kosovë si në aspektin njerëzor, ashtu edhe atë ekonomik.

Më këtë rast u ndanë edhe mirënjohje nga Konsulli Imer Lladrovci për personalitete që kanë dhënë kontribut të veçantë në krijimin dhe forcimin e marrëdhënieve diplomatike dhe shoqërore mes Kosovës dhe Baden- Württembergut. Aktiviteti u shoqërua edhe me muzikë klasike dhe koktej me ushqime tradicionale.