Follow us on:

Stuttgarter Zitung: Intervistë me Ministrin e Jashtëm të Kosovës, z.Glauk Konjufca

Nga Christian Gottschalk

Kosova ka një qeveri të re tash disa javë. Ministri i Jashtëm Glauk Konjufca trashëgon shumë probleme me Serbinë. Brenda BE-së, ai gjithashtu sheh ndryshime të mëdha midis shteteve që nuk e njohin vendin e tij.

 

Z. Konjufca, ju jeni në detyrë për rreth dy javë. A i dini tashmë problemet më mëdha në të cilat duhet të punoni?

 

Qeveria jonë filloi punën me datën 4 shkurt. Politika e jashtme ka qenë në një krizë të rëndë vitet e fundit. Ekziston një fushatë agresive serbe që synon që vende të ndryshme të tërheqin njohjen e Kosovës. Gjithsej janë 12 deri në 15 vende, shumica e tyre në rajonin e Paqësorit dhe në Afrikë.

 

Pra, marrëdhëniet me Serbinë mbeten problemi më i madh?

 

Ende ekziston tarifa ndëshkuese për mallrat nga vendi tjetër, por Kryeministri ynë i ri Albin Kurti ka bërë të ditur se ne mund t'i heqim ato dhe zëvendësojmë me masa reciprociteti. Serbia gjithashtu po e vështirëson jetën për ne në shumë fusha të tjera, për shembull kur bëhet fjalë për njohjen e dokumnteve të kosovarëve.

 

Në fundjavë, u nënshkrua një letër qëllimi midis Kosovës dhe Serbisë për të ndërtuar rrugë dhe lidhje hekurudhore. A është kjo një fillim i ri?

 

Kjo ka ngjarë pas  një iniciative të ambasadorit amerikan në Gjermani. Richard Grenell u angazhua për këto tema. Dialogu midis Serbisë dhe Kosovës nën kujdesin e BE-së duhet të vazhdojë. Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell ka njoftuar se ai do të emërojë një emisar të ri për këtë çështje.

 

Josep Borrell është Spanjoll - Spanja nuk e njeh Kosovën. A është ky problem?

 

Kushdo që ka një pozicion të jashtëzakonshëm në BE vepron në mënyrë të pavarur nga interesat e mëparshme kombëtare. Disa madje shpresojnë për një avantazh për Kosovën sepse zoti Borrell mund të demonstrojë pavarësinë e tij nga Madridi. Unë nuk besoj në këtë.

 

Përveç Spanjës, anëtarët e tjerë të BE-së nuk e njohin Kosovën. A e shihni lëvizjen atje?

 

Duhet të pranoni se ka dallime të mëdha midis shteteve që nuk na njohin. Marrëdhëniet me Greqinë janë megjithatë të mira, ata gjithashtu pranojnë pasaportat tona. Jemi më mirë me Sllovakinë dhe Rumaninë kurse Spanja dhe Qipro po përpiqen të krijojnë pengesa për ne. Qiproja është më ekstreme.

 

Kryeministri juaj kërkon një afërsi më të madhe  me Shqipërinë. Sa e afërt mund të bëhet lidhja?

 

Vendet tona kanë shumë të përbashkëta. Histori, kulturë, gjuhë, ne jemi një komb. Bashkëpunimi është pra shumë i lehtë për ne. Ne mund të ecim në shumë projekte së bashku; Projektet për të mirën e të dyve vendve që nuk dëmtojnë askënd tjetër. Kjo vlen për ekonominë, turizmin dhe bujqësinë.

 

A po flasim për bashkëpunim apo bashkim?

 

Nuk mund ta parashikoj të ardhmen, nuk e di se çfarë do të ndodhë në disa dekada. Hapi i parë është të thellojmë edhe më tej marrëdhëniet tona të mira. Ne po punojmë për këtë.

 

Ju jeni gjithashtu Ministër i Diasporës. Ku janë shumica e bashkatdhetarëve tuaj jashtë Kosovës?

 

Në Gjermani. Aty jetojnë më shumë se 400,000 kosovarë. Dhe shumica e tyre në Baden-Württemberg me më shumë se 100,000.

 

A doni që të gjithë të kthehen në shtëpi?

 

Shpresoj që lëvizja jashtë Kosovës të ulet. Ne punojmë shumë për të përmirësuar kushtet e jetesës. Arsimi është i mirë dhe falas për ne. Ne investojmë shumë para në trajnimin e njerëzve tanë. Atëherë kur ata shkojnë jashtë vendit dhe ju përfitoni nga aftësitë e tyre atje, është një humbje e jashtëzakonshme për vendin tonë.