Follow us on:

Ambasadori Kullashi mori pjesë në Ceremoninë ndërkombëtare të 70-vjetorit të zbarkimit të trupave aleate

Paris, 8 qershor 2014 - me ftesën e Presidentit François Hollande, Ambasadori Kullashi mori pjesë në Ceremoninë ndërkombëtare të 70-vjetorit të zbarkimit të trupave aleate me 6 qershor 1944, në Normandi të Francës.

Kjo ceremoni u mbajt në vendin Ouistream, qytezë në bregdetin e Normandisë.
Presidenti Hollande kishte ftuar, për shënimin e këtij përvjetori, 19 shefa të shteteve e të qeverive(Obama, Merkel, Putini, Napolitano etj.) si dhe Mbretreshën e Britanisë së Madhe.
Në tribunën presidenciale ishin të pranishëm, veç disa Ambasadorëve edhe Kryeministri i Francës, z. Vals, disa Ministra (Fabius, Caseneuve, i punëve të brendshme, Le Drian, i mbrojtjes etj), ish-Presidenti Giscard d’Estaing, N. Sarkozy, ish-Kryeministrja Edith Cresson, ish-Kryeministri Jean-Marc Ayrault, si dhe presonalitetet të tjera të larta.
Me këtë rast, Ambasadori Kullashi bisedoi me ish-Kryetarin Giscard d’Estaing, duke ia përkujtuar së pari, takimin që kishin patur në qershor të vitit 1999, në Parlamentin francez, pikërisht pas çlirimit të Kosovës dhe hyrjes së trupave të shteteve aleate në Kosovë.
Edhe me ish-Kryeministrat Cresson dhe Ayrault, Z. Kullashi, pasi theksoi të arriturat e Kosovës, në veçanti nga shpallja e pavarësisë, vuri në pah analogjinë e zbarkimit të aleatëve në Normandi, me zbarkimin e aleatëve në Kosovë, në qershor të vitit 1999.
Me këtë rast, Kullashi theksoi se populli dhe qeveria e Kosovës, kanë kultivuar mirënjohjen ndaj ndërhyrjes së trupave të vendeve perëndimore, përfshirë edhe atyre të Francës.
Kurse me Ministrin për punë evropiane të Francës, z. Harlem Désir, Kullashi bisedoi për pahat që Kosova deri më tani i ka përmbushur në përafrimin me kërkesat e BE-së, viteve të fundit.
Ministri Désir theksoi se do ishte mirë që këtë bisedë ta vazhdojnë në Paris, në Ministrinë për punë evropiane.
Nga Ambasadorja e Andorës, Kullashi u informua se Komiteti, të cilin ajo e kryeson, që do të shqyrtojë kandidaturat e shteteve (Kosova, Kostarika dhe Meksiko) për staus të anëtarit vëzhgues në frankofoni (OIF), do të mbajë mbledhjen e vet të parë me 19 qershor.
Në këtë mbledhje do të shqyrtohen edhe kërkesat e disa regjioneve (si ajo e Katalonisë) për statusin e të ftuarit special për samitin që do të mbahet në fund të nëntorit në Dakar të Senegalit.
Kullashi i tha Ambasadores Ubach Font se do të jetë në disponim për të gjitha sqarimet plotësuese lidhur me raportin (që ka 84 faqe) që ia ka dorëzuar me 28 prill Drejtorit të Kabinetit të Sekretarit të Përgjithshëm z. Pierre de Cocatrix.
Në fjalimin e vet kushtuar ngjarjes  së zbarkimit në Normandi me 1944, Presidenti Hollande, vuri në pah peshën historike, kthesën që kjo ka shënuar jo vetëm për Evropën por edhe për botën.
Pasi ndriçoi disa aspekte politike e ushtarake të kësaj ngjarje, Hollande theksoi se “edhe sot duhet të jami të gatshëm të intervenojmë aty ku shkilen të drejtat e njeriut, ku rrezikohet paqa dhe siguria”.
Pas fjalimit të Presidentit Hollande, u dha një shfaqje artistike që vizualizoi anë të kësaj ngjarje historike.