Follow us on:

Ulpiana Lama dekretohet me medaljen presidenciale franceze

Prishtinë, 11 shtator 2017 - Ambasadori i Republikës së Francës në Kosovë, Didier Chabert, i dorëzoi medaljen "Kalorëse e Urdhrit Nacional të Meritës", Ulpiana Lamës, ministër këshilltare në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Paris. Ambasadori Chabert tha se kjo medalje është lëshuar me dekret të Presidentit të Republikës franceze, Mjeshtër i Madh i Urdhrave Nacional, si mirënjohje nga Franca, që është shpërblim për shërbimet e shquara që keni kryer përmes aktivitetit tuaj profesional, shoqëror dhe universitar dhe përbën një nxitje që ju të vazhdoni angazhimet tuaja për të mirën e përbashkët. “Investimi i juaj i pakursyer për promovimin e vendit tuaj, ndihma për më të deprivuarit, si dhe pjesëmarrja aktive në konsolidimin e raporteve mes Francës dhe Kosovës përmes promovimit të frankofonisë, ju bëjnë një shembull për bashkëqytetarët tuaj”.

Nga ana e saj, Lama u shpreh se ”Gëzimi im nuk lidhet vetëm me elementin e rrallësisë: po, bëhet fjalë për një nderim të lartë, dhe po, bëj pjesë në komunitetin tepër të vogël të qytetarëve nga Kosova që e kanë pranuar këtë urdhër. Por siç e përmendi edhe ambasadori, lidhet me ‘reconnaissance’; pranimin, njohjen e kontributit”.

Lama më tej foli për rëndësinë që ka gjuha dhe kultura franceze. “Vizitova sot shkollën franceze të Prishtinës. Fëmije - vajza e djem - që mësojnë prej klasës së parë në gjuhën frënge.
Frëngjishtja do t’u mundësojë atyre që të hyjnë në komunikim me një komunitet të gjerë, shumë të gjerë, potencialisht prej 260 milionë njerëzish anë e mbanë botës. Frëngjishtja do t’u mundësojë të shoqërohen, bëjnë humor, shkëmbejnë ide, projekte, vlera. Të ndërtojnë miqësi dhe aleanca që do t’i shërbejnë vetes dhe vendit."