Follow us on:

Kolokium për Kosovën në Asamblenë Kombëtare të Francës

Në jubileun e 10-të të Republikës së Kosovës, deputetë, diplomatë, akademikë dhe personalitete franceze me kontribut në shtetformimin e Kosovës kanë evokuar momente kyçe historike dhe kanë diskutuar rreth të ardhmes progresive të vendit.

Paris, 20 shkurt

 

Në jubileun e 10-të të Republikës së Kosovës, deputetë, diplomatë, akademikë dhe personalitete franceze me kontribut në shtetformimin e Kosovës kanë evokuar momente kyçe historike dhe kanë diskutuar rreth të ardhmes progresive të vendit.


Rrugëtimi 20 vjeçar i Kosovës drejt paqes, ndërtimit e shtetësisë ka qenë një ushtrim kompleks në të cilën Franca ka meritë, duke filluar prej bisedimeve të Rambujesë të cilat u evokuan nga ambasadori Frederic Baleine du Laurens  me rol aktiv në ato bisedime, e mandej ndërhyrja ushtarake e NATOs dhe prania e KFOR-it për çka foli shefi i atij misioni në kohën  shpalljes së pavarësisë, gjenerali Xavier Bout de Marnhac. Institucionet demokratike, media dhe zgjedhjet e lira si pjesë e mandatit të OSBEsë u trajtuan nga ish shefi i OSBEsë, ambasadori Jean -Claude Schlumberger ; integrimi europian i Kosovës si pjesë e Ballkanit Perëndimor nga profesoresha universitare Odile Perrot njëherësh edhe moderatore e kësaj ngjarjeje, ndërsa oportunitetet ekonomike të Kosovës dhe bashkëpunimi ekonomik Francë-Kosovë nga drejtori i aeroportit të Kosovës z. Roger Forneris.


Mesazhe  të afrimit mes dy vendeve dhe popujve  u dhanë nga kryetari i grupit të miqësisë Francë-Kosovë z.Bruno Questel dhe nënkryetari z.Joachim Son Forget, të cilët duke ndarë me të pranishmit mbresa nga vizita e freskët në Kosovë ku qëndruan për festimet zyrtare të 10 vjetorit, afirmuan atë çka ata e cilësuan “orientim i qartë pro-europian i Kosovës”.


Një orientim që, sipas ambasadorit të RKS-së në Francë, z. Qëndrim Gashi, duhet të kurorëzohet me anëtarësimin e Kosovës në BE. “Historia e Ballkanit nuk ka qenë gjithmonë lineare. Kosova është përballur me sfida të njëjta si dhe vendet e tjera të Ballkanit e madje edhe disa vende të Bashkimit Evropian. Por ne gjithashtu na duhet të përballemi me lëvizjet, propagandën dhe nganjëherë forcat shumë të fuqishme që kërkojnë të ndryshojnë progresin e krijuar tashmë. Megjithatë, Kosova dhe vendet e Ballkanit do të fitojnë ndaj vlerave anti-evropiane dhe fantazmave të së shkuarës".

Kolokiumi “Kosova, 10 vjet pavarësi” ishte një bashkë-organizim i grupit të miqësisë Francë-Kosovë në Asamblenë Kombëtare franceze dhe Ambasadës së Kosovës në Paris, që u mbajt në pallatin e Burbonëve, seli e Asamblesë Kombëtare.