Follow us on:

Rreth vizitës së presidentit të Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi, në Paris

Rreth vizitës së presidentit të Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi, në Paris

Paris, 17 mars


Gjatë vizitës së tij në Paris nga 14 deri në 16 mars, Presidenti i Kosovës, z.Hashim Thaçi është takuar me Presidentin e Republikës së Francës z. Emmanuel Macron, në një takim që ai e përshkroi si "të shkëlqyeshëm, dëshmi e një lidhjeje të fortë mes Kosovës dhe Francës". "Unë jam i impresionuar nga energjia e tij dhe përkushtimi për përparim në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor; vizita e ardhshme e Presidentit Macron në rajon do të krijojë një moment të ri, "u shpreh me këtë rast kreu i shtetit të Kosovës.

Pjesë e agjendës së presidentit Thaçi ishte edhe një ceremoni për dorëzimin e "Urdhrit të Lirisë" z. Alain Juppé – ish kryeministër i Francës, aktualisht kryetar i Bordosë, si dhe dhënia e Medaljes Presidenciale të 10 vjetorit të Pavarësisë z. Nicolas Sarkozy, ish President i republikës franceze.

Fjala e Presidentit të Republikës së Kosovës në Akademinë Diplomatike Ndërkombëtare të Parisit, më 15 mars, u prit me shumë interes. Presidenti Thaçi dhe ish-Ministri i jashtëm francez Bernard Kouchner folën mbi sfidat dhe mundësitë e Kosovës, e cila hyn në dekadën e dytë të pavarësisë. Me këtë rast u bë edhe prezantimi i librit të autorëve Roger Boyes dhe Suzy Jagger, "New State, Moderne Statesman: Hashim Thaçi Biography" në praninë e Suzy Jagger, gazetare në Times të Londrës.

Për të përfunduar këtë vizitë, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët në federatën më të madhe të bizneseve në Francë, e njohur si MEDEF International. Përfaqësues të klubit të bizneseve frankofone të Kosovës (KOCAF), sipërmarrës francezë dhe kosovarë, si dhe tre ministra kosovarë – i Inovacionit – Besim Beqaj, i Financave – Bedri Hamza dhe i Zhvillimit Ekonomik-Valdrin Lluka,  ishin të pranishëm për të diskutuar mbi mundësitë ekonomike në Kosovë, veçanërisht në sektorët e energjisë, infrastrukturës, transportit, shëndetësisë, ekologjisë dhe mbrojtjes.