Follow us on:

Festimet e 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në Paris

E dielë, 17 shkurt, Harku i Triumfit - francezë dhe kosovarë, përfaqësues institucionalë, të komunitetit të biznesit, kulturës dhe akademisë asistuan në ceremonialin prestigjoz të ndezjes së flakës në nder të 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Kjo ceremoni kaloi nën shenjën e afirmimit të ushtrisë së Kosovës. Zv.ministri Burim Ramadani dhe nënkoloneli Ali Krasniqi morën pjesë në homazhet e drejtuara me këtë rast nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, z. Qëndrim Gashi.

E martë, 19 shkurt, pritja e Pavarësisë - shënim i spikatur i 11 vjetorit të Pavarësisë së vendit, takim i ngrohtë me rreth 150 të ftuarit: ambasadorë, miq e dashamirës të Kosovës, një homazh për paqen përmes ekspozitës «Jumping Joyfully for Peace» dhe një kërcim i gëzueshëm për paqen në fund të fjalimeve; kështu u duk kjo festë e pavarësisë së vendit ne vitin jubilar të 20të vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Ambasadori Gashi vlerësoi, në fjalën e rastit, se “në rrugën tonë drejt lirisë dhe pavarësisë, e më tej në atë të integrimit të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare si dhe konsolidimit të demokracisë dhe prosperitetit të vendit, Franca gjithmonë ka qëndruar me Kosovën”. “Ky vend meriton të mbështetet, veçanërisht nëpërmjet shkëmbimeve bilaterale me Francën dhe Evropën”, përforcoi në fjalën përshëndetëse presidenti i grupit të miqësisë Francë-Kosovë në Asamblenë Nacionale, deputeti Bruno Questel.

Seria e fotografive “Kërcim i gëzueshëm për paqe” e aktores së mirënjohur kosovare dhe ambasadores së vullnetit të mirë Arta Dobroshi, u inagurua të njëjtën ditë, në një dokumentim të iniciativës së saj për të frymëzuar bashkëjetesën në paqe dhe respektimin e gjithë të tjerëve. Arta Dobroshi flet rregullisht në evente botërore për të drejtat e njeriut.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në ambientet e Ambasadës deri në fund të muajit qershor. Festimet e pavarësisë dhe ardhja e artistes në Paris u bënë të mundura falë bashkëpunimit me Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike të Kosovës, përfaqësuar nga zv.ministri i kësaj ministrie, z.Isni Kilaj.