Follow us on:

Meshë për paqen në Kosovë dhe botë, në zemër të Parisit

Ndërtesa 400 vjeçare e njohur si Hoteli kombëtar i Invalidëve, priti përmbi 500 të ftuarit dhe 110 instrumentistët e koristët e Filharmonisë së Kosovës, në një mbrëmje emocionale dhe të magjishme.

 

E mërkurë, 22 maj 2019


Ndërtesa 400 vjeçare e njohur si Hoteli kombëtar i Invalidëve, priti përmbi 500 të ftuarit dhe 110 instrumentistët e koristët e Filharmonisë së Kosovës, në një mbrëmje emocionale dhe të magjishme.

Vepra monumentale 'Njeriu me armë, meshë për paqen' u interpretua nga Filharmonia e Kosovës në nder të 20 vjetorit të përfundimit të luftës në Kosovë.

"Sonte jemi mbledhur përreth parimeve universale, përreth paqes, lirisë, pajtimit dhe mirënjohjes. Përreth të ardhmes. Përreth artit. Por detyra e kujtimit kalon së pari përmes obligimit të konstatimit të fakteve. Ajo kërkon refuzimin e relativizimit të së kaluarës dhe refuzimin e mohimit të së kaluarës. Prapa imazheve që i keni parë para 20 vitesh, ka pasur burra, gra dhe fëmijë kosovarë. Sonte këta fëmijë janë të rritur e disa prej tyre pjesë e Filharmonisë së Kosovës. Luajnë pa frikë, krenarë me progresin që është bërë, por duke dëshiruar më shumë përparim ekonomik e social në Ballkan. Ata aspirojnë ëndrrën evropiane dhe brengosen kur e shohin këtë ëndërr të hasë në vështirësi të mëdha. Detyra e kujtimit kalon po ashtu përmes obligimit për pajtim. Në zemër të kësaj të ardhme, është respekti për secilin dhe secilën. Respekti për të gjithë qytetarët e Kosovës" u shpreh në fjalën e rastit Ambasadori i Kosovës në Francë, z. Qëndrim Gashi.

Një vepër muzikore e fortë dhe me mesazh humanist universal, "Njeriu i armatosur – Meshë për paqen" e kompozitorit britanik Karl Jenkins, daton prej vitit 2000 dhe shënon kalimin ne mijëvjeçarin e ri. Ajo i dedikohet viktimave të luftës së Kosovës.

"Kultura është në mënyrë të pakontestueshme mesazhi më i bukur i paqes" u shpreh nga ana e tij z.Christophe Girard, nënkryetar i Parisit dhe mik i Kosovës.

Mes të ftuarve – gjeneralët francezë të KFOR-it në Kosovë, senatorë, përfaqësues të diplomacisë franceze, sferës akademike e kulturore, art-dashës, miq të Kosovës. Ministrja e Integrimit Evropian znj Dhurata Hoxha gjithashtu, si dhe një delegacion i Kuvendit të Kosovës përbërë nga deputetët Blerta Deliu, Slobodan Petroviç dhe Armend Zemaj.


Realizimi i koncertit dhe koktejlit të rastit u bënë të mundur falë mbështetjes së Qeverisë së Kosovës – përkatësisht Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministrisë së Financave, Ministrise së Integrimit Evropian, Ministrisë së Jashtme, Kuvendit, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrisë së Diasporës – e po ashtu edhe Ambasadës Franceze në Kosovë, asosiacionit 4Couleurs dhe operatorit telefonik IPKO. Ngjarja u organizua nga Ambasada e Kosovës në Francë në partneritet me Qendrën Kulturore të Kosovës në Paris.