Follow us on:

Mesazhi i mirëseardhjes

Mirësevini në faqen e Ambasadës së Kosovës në Itali!

 

Për mua është nder i madh që përfaqësoj Republikën e Kosovës në pozitën e ambasadores në Itali. Kosova dhe Italia janë dy vende mike, të cilat kanë zhvilluar marrëdhënie dypalëshe në shumë fusha. Italia është një nga vendet që ka mbështetur të gjitha proceset politike dhe demokratike në Kosovë. Është synimi im që gjatë mandatit si ambasadore, këto raporte t'i përforcoj dhe intensifikoj, e po ashtu të vendos më shumë ura lidhëse mes qytetarëve të Kosovës dhe atyre të Italisë. Interesi ynë i përbashkët është që përveç intensifikimit të marëdhënieve diplomatike, të rrisim shkëmbimet ekonomike e tregtare, shkëmbimet kulturore dhe  ato të turizmit; e po kështu të intensifikojmë kontaktet politike ndërmjet institucioneve shtetërore respektive dhe ato të shoqërisë civile, partive politike, asosacioneve profesonale etj.

 

   Unë e çmoj shumë mbështetjen e Italisë prej dekadash tashmë,  të të gjitha proceseve në Kosovë. Veçanërisht kontributi i saj është i çmuar gjatë luftës së vitit 1998-1999 si anëtare e NATO-s. Italia është gjithashtu një nga shtetet që ka kontribuar më së shumti me trupa  ushtarake në kuadër të KFOR-it, i cili është garantuesi i sigurisë në Kosovë. Nga ana tjetër, qytetarët e Kosovës janë falënderues për ndihmat dhe donacionet e shumta që ka dhënë Italia dhe qytetarë italianë për komunitetet e ndryshme në Kosovë pas përfundimit të luftës. Gjithashtu në Itali jeton edhe një numër i konsiderueshëm i diasporës së Kosovës, me mbi 50 mijë veta, të cilët kanë gjetur një vend shumë mikëpritës dhe janë punësuar e integruar në sajë të bujarisë së këtij shteti.

 

   Jam e bindur se me Italinë ne ndajmë vlera të njëjta kulturore dhe shpirtërore dhe hapësira për bashkëpunim edhe në këtë aspekt është shumë e madhe.

 

Alma Lama

 

Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës së Kosovës në Itali