Follow us on:

Ambasadorja Gjonbalaj i dorëzoi letrat kredenciale në San Marino

San Marino, 25 qershor 2013 - Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, Bukurije Gjonbalaj, i dorëzoi letrat kredenciale si ambasadore jorezidente në Republikën e San Marinos, Kapitenëve Regjent të San Marinos, Antonella Mularoni dhe Denis Amicie.

Në ceremoninë shtetërore dhe solemne, me pritje nga garda e nderit, e organizuar me këtë rast, ishin të pranishëm edhe anëtarët e Këshillit të Madh dhe të Përgjithshëm.

Ceremonia filloi me mirëseardhje nga Ministri i Punëve të Jashtme të Sekretarisë së Shtetit të San Marinos, Pasquale Valentini.

Pas prezantimit me anëtarët e Këshillit të Madh dhe të Përgjithshëm, ceremonia vazhdoi me dorëzimin fizik të letrave kredenciale, mirëseardhje dhe urime për akreditim si Ambasadore e Republikës së Kosovës në Republikën e San Marinos nga ana e dy Kapitenëve Regjent.

Në cilësi të Ambasadores së sapo akredituar në Republikën e San Marinos, Ambasadorja Gjonbalaj në fjalën e saj inauguruese pasi që shprehu mirënjohje dhe falënderim, të pranishmeve ndër të tjera u foli edhe për historinë moderne dhe zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës.