Follow us on:

Ambasadorja Lama mbajti ligjëratë të hapur për Kosovën në kuadër të Festivalit të Diplomacisë

Romë, 25 tetor 2017 - Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, Sh.S. Znj. Alma Lama, mbajti ligjëratë me titull "Si u krijua historia e fundit e Kosovës: shteti aktual dhe lindja e kufijve". Ligjërata u organizua në kuadër të Festivalit të Diplomacisë, ndërsa prezantimi u mbajt në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit LUISS, moderuar nga profesori Alfonso Giordano.

Ambasadorja Lama, fillimisht paraqiti një përmbledhje kronologjike të ngjarjeve kryesore në historinë e Kosovës, duke thënë në hapje të fjalës se përgjatë tërë historisë, kufijtë nuk kanë qenë kurrë një çështje e lehtë. "Kufijtë janë të rëndësishëm kudo, duke përfshirë rajonin e Ballkanit. Lindja e kufijve të Kosovës nuk mund të kuptohen pa një sfond historik", tha ambasadorja Lama.


Ambasadorja foli në lidhje me argumentet që e bëjnë shpalljen e pavarësisë së Kosovës rast sui generis, e që për këtë arsye nuk mund të shërbejë si model për të zgjidhur problemet e tjera nëpër botë.


Lama tha se megjithatë, pavarësia nuk zgjidhi të gjitha problemet e Kosovës, pasi një pjesë e territorit të saj, për shkak të rolit destruktiv të Serbisë, vazhdon të mos i bindet autoriteteve qendrore.


Më pas ajo prezantoi të arriturat e Kosovës, si në aspektin politik ashtu dhe në atë ekonomik e kulturor. 


Ambasadorja Lama foli edhe për përpjekjet për të forcuar partneritetin me komunitetin ndërkombëtar dhe për të arritur integrimin në organizatat ndërkombëtare. "Duam të jemi pjesë e rendit ndërkombëtar. Këtë e dëshmuam me kushtetutën tonë, ku i kemi futur në mënyrë të njëanshme të gjitha konventat ndërkombëtare për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të tjera", tha ndër të tjera ambasadorja Lama në fjalën e saj, duke vazhduar se "nëse marrim parasysh pikën fillestare të udhëtimit të Kosovës, atëherë me krenari mund të themi se procesi i ndërtimit të shtetit të Kosovës mbetet suksesi më i madh i përbashkët i Kosovës dhe i bashkësisë ndërkombëtare". Ambasadorja Lama me këtë rast shprehu vlerësimin e saj të lartë për mbështetjen dhe ndihmën që italianët i kanë dhënë popullit të Kosovës.

 

Në fund të prezantimit, ambasadorja Lama zhvilloi një bashkëbisedim me të pranishmit, kryesisht studentë të marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilët u interesuan të mësojnë më shumë rreth ndërtimit të identitetit, influencës së SHBA-ve në politikën dhe kulturën kosovare, mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së si dhe rreth integrimit të diasporës kosovare në Itali. Në lidhje me një pyetjen mes ngjashmërisë së pavarësisë së Kosovës dhe asaj të Katalonias, ambasadorja Lama shjegoi se pikërisht për shkak të karakterit sui generis, nuk mund të hiqen paralelizma me rastin e Kosovës.


Shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte një rrjedhojë e një procesi historik siç ishte shpërbërja e Jugosllavisë; rezultat i marrjes së sovranitetit të Jugosllavisë nga OKB-ja për shkak të shkeljes flagrante të të drejtave të njeriut, dhe rrjedhojë e një procesi bisedimesh të drejtura nga OKB-ja ku rezultoi se pavarësia ishte e vetmja zgjidhje e qëndrueshme për Kosovën dhe rajonin, tha ambasadorja Lama.


Pas përfundimit të ligjëratës, ambasadorja Lama zhvilloi edhe një intervistë në studion e Radios së Studentëve të Universitetit Luiss, ku foli rreth perspektives evropiane të Kosovës .


Universiteti Ndërkombëtar i Studimeve Sociale "Guido Carli", i njohur me akronimin "LUISS", është Universitet i pavarur privat në Romë, i themeluar në vitin 1974 nga një grup sipërmarrësish, ndërsa sot konsiderohet si një nga institucionet më të rëndësishme dhe prestigjioze të arsimit të lartë në Itali. Sot, Universiteti mbështetet nga Confindustria, konfederatë italiane e industrisë.


Ndërsa Festivali i Diplomacisë, edicioni i 8 me radhë këtë vit, e i titulluar "Parimet dhe Principet: Sistemi gjeopolitik ndërmjet interesit kombëtar dhe vlerave universale", organizohet nën patronazhin e Presidentit të Republikës me mbështetje të Ministrisë së Punëve të Jashtme, përfaqësimit në Itali të Komisionit dhe Parlamentit Evropian, bashkëpunimit me mbi 70 ambasada, 7 universitete dhe partnerë të shumtë shkencorë.