Follow us on:

Ministri Sefaj po merr pjesë në konferencën përmbyllëse ministrore të projektit rajonal të BE-së

Trieste, 27 Tetor 2017 - Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Flamur Sefaj po qëndron në Trieste të Italisë ku po merr pjesë në konferencën përmbyllëse ministrore të projektit rajonal të Bashkimit Evropian :“Lufta kundër krimit të organizuar- Bashkëpunimi ndërkombëtar në drejtësinë penale”, i cili projekt është zbatuar nga Ministria e Brendshme e Republikës së Italisë.

Ministri Sefaj falënderoi Ministrinë e Brendshme të Republikës së Italisë për udhëheqjen, mbështetjen dhe organizimin e aktiviteteve, nga të cilat ka përfituar Policia e Kosovës. 


Në këtë drejtim, ministri Sefaj përmendi sukseset e Policisë së Kosovës e cila ka marrë pjesë në katër raste të hetimeve të përbashkëta, të cilat kanë rezultuar me një numër të madh të personave të arrestuar, si dhe konfiskim të konsiderueshëm të narkotikëve, armëve dhe parave. 


Gjatë kësaj konference, ministri Sefaj theksoi se anëtarësimi  i Republikës së Kosovës në INTERPOL dhe nënshkrimi i një marrëveshjeje pune me EUROPOL, janë prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës. 

 

Këto veprime janë të domosdoshme me qëllim të avancimit të bashkëpunimit në nivel Evropian dhe për të avancuar me përpjekjet në luftimin e kërcënimeve që vijnë nga të gjitha format e krimit të organizuar dhe terrorizmit në rajon, Evropë dhe më gjerë.

 

Në përfundim, ministri Sefaj theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës dhe Policia e Kosovës do të vazhdojnë të kenë qasje konstruktive dhe do të përkushtohen në avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral dhe multilateral.