Follow us on:

Ambasadorja Lama vizitë në Padova, me autoritet lokale dhe të biznesit

Padova, 18 prill 2018 - Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Romë, Alma Lama, realizoi një vizitë pune në qytetin e Padovas, në rajonin Veneto të Italisë, ku u prit në Këshillin Komunal të qytetit dhe në Dhomën e Tregtisë.

Në takimin institucional në Palazzo Moroni, ku u prit nga presidenti i këshillit të qytetit, z. Giovanni Tagliavini, foli për shkëmbimet e mundshme tregtare dhe të turizmit midis realiteteve ekonomike të Padovas dhe të Kosovës, por edhe të komuniteteve të kosovarëve në territorin e Padovës dhe të Venetos.

 

Gjatë vizitës në Padova, ambasadorja Lama zhvilloi vizitë dhe takime edhe në Promex, që është Dhoma e Tregtisë së qytetit, ku u prit nga drejtori i këtij institucioni z. Franco Conzato. Në takim, ndër të tjera, u bisedua rreth mundësisë së realizimit të disa aktiviteteve me ndërmarrësit italianë për të prezantuar mundësitë e  investimit në Kosovë, një takim ky shumë i frytshëm dhe miqësor.

 

Padova është e njohur për Universitetin e saj, një nga më të vjetrit në botë, ndërsa sa i përket ekonomisë konsiderohet një qendër e rëndësishme bujqësore, tregtare dhe industriale. Prodhimi përfshin makineri elektrike dhe bujqësore, motoçikleta, kimikate, tekstile artificiale dhe sintetike, dhe ushqime të përpunuara.

 

Sipas të dhënave të fundit zyrtare, janë rreth 250 kosovarë të regjistruar që jetojnë dhe punojnë në Padova, ndërsa rajoni i Venetos është rajoni me numrin më të madhë të komunitetit kosovarë në Itali. 

 

Në vizitën e saj në Padova, ambasadorja Lama u shoqëruar nga senatori Aldo Di Biagio, njëherit anëtarë themelues i Odës Ekonomike Italo-Kosovare.