Follow us on:

Ambasadorja Lama zhvillon vizitë zyrtare në Cosenza

Cosenza, 29 qershor 2018 - Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, Alma Lama, e shoqëruar nga profesori i nderuar arbëresh Francesco Altimari, vizitoi autoritetet më të të larta të Provincës së Cosenza-s, në Rajonin e Kalabrise.

Ajo u takua me presidentin e Provincës, zotin Francesco Antonio Iacucci dhe bisedoi rreth mundësive të ndërtimit të raporteve të reja me Kosovën përsa i përket fushës së ekonomisë, përveç lidhjeve kulturore dhe atyre universitare të krijuara nëpër dekada nëpërmjet komunitetit arbëresh, i cili, në këtë provincë përbën numrin më të madh të vendbanimeve. Presidenti i Provincës ofroi bashkpunimin e tij duke përfshirë edhe ate te komunitetit arbëresh.


Ambasadorja Lama zhvilloi nje vizitë në Komunën e Cosenza-s, ku u takua me përfaqësuesit e Komunës, nënkryetarin Lino Di Nardo dhe drejtoreshën për Kulturë, znj Loredana Pastore. Ambasadorja Lama hodhi idenë e nje binjakëzimi me komuna të Kosovës, ide e cila u mirëprit dhe pritet të realizohet se shpejti. Po kështu u bisedua edhe për rritjen e bashkëpunimit në fushën e kulturës ndërmjet Komunës së Cozenca-s dhe Kosovës.


Ne pasdite, Ambasadorja Lama beri nje vizite edhe në Komunën e Rende-s, ku u prit nga kryetari i kësaj Komune, Marcello Manna, me të cilin, gjithashtu biseduan për të rritur bashkëpunimin në fushën e ndërmarrësisë, duke qenë se në këtë komunë janë të vendosura kompanitë më të mëdha industriale të Rajonit të Kalabrisë.


Po kështu, në këtë qytet, është i vendosur kampusi universitar i Cosenza-s, një mundësi e mirë edhe për studentët ndërkombëtarë. Në këtë universitet modern, më të cilin Univeristeti i Prishtinës ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, studiohet në shumë fusha, përfshirë edhe praktikën e krijimit të ndërmarrjeve të reja.


Në përmbyllje të vizitës, Ambasadorja Lama zhvilloi një vizitë edhe në Laboratorin e Albanologjise, pranë Universitetit të Cosenza-s ku punon profesori i nderuar Altimari, i cili së bashku me albanologë të tjerë, kanë bërë një punë të shkëlqyer për historinë, gjuhën dhe kulturën arbëreshe dhe shqiptare në përgjithësi.