Follow us on:

Ambasadorja Alma Lama takoi Kryetarin e qytetit të Modenës

Modena, 2 nëntor 2018 – Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Romë, Alma Lama zhvilloi një vizitë në Modena, ku u prit nga kryetari i kësaj komune z. Gian Carlo Muzzarelli. Në takim u diskutua për forcimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve në të ardhmen, me fokus të veçantë në fushën e ndërmarrësisë, marrë parasysh se qyteti i Modenës përfaqëson njërin ndër qytetet më të rëndësishme sa i përket ekonomisë dhe industrisë.

Ambasadorja Lama i shpjegoi z. Muzzarelli mundësitë për investime që ofron Kosova, posaçërisht në lehtësirat administrative dhe qasjen e lehtë për të gjitha kompanitë e huaja. Duke marrë parasysh se kjo gjë e bën Kosovën një mjedis mjaft aktraktiv dhe të favorshëm, ambasadorja Lama kërkoi nga z. Muzzarelli që të ofrojë ndihmën e tij në informimin e bizneseve nga Modena lidhur me mundësitë e investimeve në Kosovë.

Takimi ishte edhe një mundësi për të folur për sfidat e së kaluarës, duke qenë se z. Muzzarelli ka qenë i dërguari i komunës së Modenës për të ndihmuar refugjatët nga Kosova në Shkodër, gjatë luftës së vitit 1999.