Follow us on:

Ambasadorja Lama mban ligjeratë të hapur në Fakultetin Juridik në Brescia

Brescia, 15 nëntor 2018 - Në kuadër të vizitës në Brescia, me ftesë të Universitetit të Brescias, Ambasadorja Lama mbajti një ligjeratë të hapur ku foli për temën: "Statusi i Kosovës ndërmjet politikës dhe të drejtës ndërkombëtare". Ligjerata e hapur e Ambasadores Lama për Kosovën u organizua për studentët e Fakultetit Juridik dhe u moderua nga profesoresha e të drejtës ndërkombëtare znj. Patrizia De Cesari. Ambasadorja Lama, prezantoi një përmbledhje kronologjike të ngjarjeve kryesore në historinë e Kosovës, përgjatë 20 viteve të fundit, dhe foli në lidhje me argumentet që e bëjnë shpalljen e pavarësisë së Kosovës rast sui generis.

Më pas ajo prezantoi të arriturat e Kosovës në aspektin politik dhe në atë ekonomik dhe foli për përpjekjet për forcimin e partneritetit me komunitetin ndërkombëtar dhe për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Ambasadorja Lama foli edhe për mbështetjen dhe ndihmën që italianët i kanë dhënë popullit të Kosovës.

Në fund të ligjeratës, në sesionin e diskutimeve, ambasadorja Lama u përgjigj shumë pyetjeve nga të pranishmit, të cilët u interesuan të kuptojnë më shumë për zhvillimin e Kosovës në periudhën e pas luftës dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimin e marrëveshjeve, të drejtat e komunitetit Serb dhe në lidhje me arsyet për mosnjohjen e Kosovës nga vendet anëtare në BE.