Follow us on:

Ambasada e Kosovës në Itali organizoi konferencën “Ndërhyrja humanitare e NATO-s në Kosovë – 20 vjet pas luftës”

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali, ka ribashkuar protagonistët e politikës italiane të 20 viteve më parë, roli i te cilëve ishte vendimtar në ndërhyrjen ushtarake te NATO-s. Në konferencën me titull “Ndërhyrja humanitare i NATO-s në Kosovë – 20 vjet pas luftës” organizuar në bashkëpunim me Senatin e Republikës, panelistët duke flluar nga ish-kryeministri Massimo, D’Alema, ish - ministri i mbrojtjes Carlo Scognamiglio Pasini, ish-komisionerja për çështje europiane Ema Bonino, ish- ministri i jashtëm Giulio Terzi, dhe nën moderimin e Radio Radikale, risollën në kujtesë ngjarjet dramatike për Kosovën të asaj kohe dhe rrëfyen arsyet të cilat e shtynë qeverinë italiane t’i dilnin në krah Kosovës.

Në fjalën e saj hyrëse Ambasadorja Lama tha se “në këtë 20 vjetor të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s lista e personave zyrtare dhe qytetarë të thjeshtë që duhen falenderuar për kontributin e tyre të çmuar, është jashtëzakonisht e gjatë, por në emër të Republikës së Kosovës unë sot dua të falenderoj në radhë të parë shtetin italian, angazhimi i te cilit si pjesë e Aleancës së NATO-s ka qenë esencial, si përsa i përket kontributit ushtarak ashtu edhe atij humanitar, pasi Italia mbante edhe barrën kryesore të menaxhimit të krizës së refugjatëve.”

“Ndërhyrje ushtarake e NATO-s në Kosovë i dha të drejtës ndërkombëtare dimensionin human” tha ambasadorja Lama.

Ish kryeministri D’Alema u shpreh se “ishte pikërisht vizioni i atyre njerëzve të plagosur dhe të nënçmuar, historia e këtyre refugjatëve të cilët më ndihmuan të kapërceja dyshimet e fundit për rezistencën morale, le të themi, dhe më bindën se veprimi i NATO-s ishte zgjedhje e pashmangshme. Normalisht që një shtysë më e madhe erdhi nga Bill Clinton dhe presioni i pandërprerë i Amerikës. Gjatë fjalimit të tij D’Alema rikujton momentin kur Clinton pat thënë “e kuptojmë qartë sa delikat është qëndrimi i Italisë, duke u bazuar në lidhjet e forta historike me serbët, mirëpo ajo që ne dëshirojmë nga Italia është gatishmëria e bazave ushtarake”. D’Alema kujton t’i kishte thënë Clintonit se Italia nuk mund të ishte vetëm një derë, “ne dëshirojmë të marrim pjesë në këtë aksion ushtarak dhe të jemi pjesë përbërëse në çështjen politike të kësaj krize. Vlen të theksohet se ka ekzistuar një brengë duke marrë parasysh se po veprohet pa një mandat të qartë të OKB-së, prandaj kemi qenë mjaft të angazhuar që ta mbajmë dialogun të hapur edhe me Rusinë”, tha ai.

Ndërsa ish ministri i mbrojtjes së asaj kohe, Carlo Scognamiglio Pasini tha se diplomacia perëndimore kishin për qëllim që të siguronin një armëpushim në mes të palëve, mirëpo kur kjo qe e pamundur atëherë intervenimi i NATO-s ishte i pashmangshëm. Millosheviçi kishte për qëllim zbrazjen e Kosovës dhe spastrimin etnik, me qëllim të krijimit të kaosit edhe tek shtetet fqinje. Në fund u shpreh se “mos të harrojmë se sot minoriteti serb në Kosovë gëzon të drejta dhe liri të plota, një gjë që dikur shumicës shqiptare i ishte mohuar”. Edhe senatorja Ema Bonino risolli në kujtesë trenat e mbushur me plot refugjatë që shkonin në drejtim të Maqedonisë, një pamje që i kishte kujtuar Luftën e Dytë Botërore. “Prandaj mendoj se intervenimi i NATO-s në Kosovë ka qenë i domosdoshëm, duke marrë parasysh edhe luftën në Bosnjë. Mendoj se është esenciale që vendi ynë dhe e gjithë Europa t’i japin vëmendjen e duhur dhe angazhimin maksimal kësaj pjese të Ballkanit.

Ndërsa ish ministri i jashtëm ambasadori Giuglio Terzi, duke bërë edhe konkluzonet e konferencës tha se intervenimi i NATO-s në Kosovë ka qenë gjithsesi një intervenim humanitar, që më pas ka sjellë angazhimin maksimal të diplomacisë, në të cilën Italia ka pasur një rol aktiv dhe të pamohueshëm. Ky veprim ka sjellë një zgjidhje politike që ka rezultuar me pakon Ahtisaari dhe në fund me pavarësinë e Kosovës.

Gazetari Luka de Poli tha se 20 vjet më parë ka qenë një debat i hapur lidhur me intervenimin e NATO-s në Kosovë dhe se media ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në formësimin e opinionit publik për këtë çështje, duke marrë parasysh se ka qenë mjaft i ndarë. Edhe gazetarja Severini- Melograni informoi të pranishmit se ka qenë e angazhuar gjatë tri konflikteve: Liban, Ruanda e para së gjithash në Kosovë. Ajo u shpreh se duhet punuar fort që t’iu tregojmë të rinjve tanë se ku është Ballkani. Duhet punuar shumë që të kemi një Europë të hapur për të gjithë dhe të jemi në gjendje të ndihmojmë njëri tjetrin.

Në konferencë morën pjesë anëtarë të trupit diplomatik në Romë, anëtarë të parlamentit dhe zyrtarë të institucioneve italiane, gazetarë, ushtarakë dhe personalitete të tjera të interesuar për çështjen e Kosovës. Konferenca është transmetuar live nga Radio Radicale, e cila ka një audiencë të gjërë në të gjithë Italinë.