Follow us on:
PROCEDURA E APLIKIMIT PËR FITIMIN E SHTETËSISË SË KOSOVËS SIPAS NENIT 32 TË LIGJIT PËR SHTETËSINË E KOSOVËS (ish shtetasit e RFJ dhe pasardhësit e tyre të drejtpërdrejtë). 
 
 
Të gjithë personat që me 1 janar 1998 kanë qenë shtetas të ish Republikës Federative të Jugosllavisë dhe që me këtë datë kanë pasur banimin e përhershëm në Kosovë dhe që dokumentojnë statusin e tyre, konsiderohen shtetas të Republikës së Kosovës dhe regjistrohen si të tillë në regjistrin e shtetasve vetëm pas aplikimit në komunën përkatëse në Kosovë, ose në Shërbimin Konsullor të Ambasadës së Kosovës në Itali. Këtë të drejtë e kanë dhe pasardhësit e drejtëpërdrejtë të tyre.
 
Për të parashtruar kërkesën për fitimin e shtetësisë së Kosovës sipas kësaj procedure, palët e interesuar duhet të dorëzojnë personalisht dokumentet si në vijim:
 
 
  • Kërkesën për fitim shtetësie 
  • Dëshminë për posedimin e shtetësisë së RFJ 
  • Certifikatën e të kaluarës kriminale lëshuar nga autoritetet e vendit ku banon.
  • Deklaratën e pranimit të rendit juridik e kushtetues të Kosovës (plotësohet në shërbimin konsullor
  • Dëshminë për banimin e përhershëm në Kosovë 
  • Taksën Administrative prej 50 EURO për aplikim
 
Dokumentacioni i mësipërm do të dërgohet në Ministrinë e Punëve të Brendshme e cila ka afatin maksimal prej 6 muajsh për shqyrtimin e kërkesës dhe marrjen e vendimit për fitimin apo jo të shtetësisë së Kosovës.

 


SQARIM PËR DËSHMITË

Për të dëshmuar shtetësinë e ish RFJ-së, personi duhet të paraqesë një nga dokumentet zyrtare të përcaktuara me poshtë dhe të lëshuara para 1 janarit 1998 ose ndonjë dëshmi tjetër:

 

  • Certifikata e shtetësisë së ish RFJ; 
  • Certifikata e lindjes, certifikata e martesës; 
  • Pasaporta e RFJ-së letërnjoftimi i RFJ-së; 
  • Çdo dokument tjetër që vërteton shtetësinë e RFJ-së.
 
Personi e dëshmon se ka qenë banor i përhershëm i Kosovës me 1 janar 1998, pavarësisht vendbanimit dhe shtetësisë së tanishme të tyre, nëse plotëson ndonjërën nga këto kritere:
 
  • Ka lindur në Kosovë ose nëse njeri prind ka lindur në Kosovë para 1 janarit 1998; 
  • Ka banuar në Kosovë për një periudhë të pandërprerë prej së paku 5 vjetësh para 1 janarit 1998; 
  • Është detyruar të largohet nga Kosova para 1 janarit 1998 dhe për këtë arsye nuk ka pasur mundësi të plotësojë kushtet për të qenë banorë të përcaktuara në pikën e dytë. Ka qenë fëmijë i varur që nuk i ka plotësuar kushtet nën moshën 18 vjeçare ose nën moshën 23 vjeçare nëse ka qenë duke vijuar shkollimin e rregullt në ndonjë institucion arsimor para 1 janarit 1998 dhe nëse prindërit e tij / saj bëjnë pjesë në njërën nga pikat e mësipërme ose janë të regjistruar sipas nenit 3 të Rregullores së UNMIK-ut 2000/13.

Banimi i përhershëm vërtetohet me dokumentet apo dëshmitë e mëposhtme:
 
 
  • Një dokument zyrtar të lëshuar nga cilido shtet ose ndonjë organ i tij duke përfshirë letërnjoftimin pasaportën ose ndonjë dokument tjetër të udhëtimit që përmban fotografi ose gjurmët e gishtërinjve të aplikuesit; 
  • Dokumente të tjera të lëshuara nga ndonjë shtet tjetër ose ndonjë organ i tij ose nga një agjenci ose organ i Kombeve të Bashkuara kur është nevoja i mbështetur nga dëshmi të pavarura konfirmuese qoftë me shkrim ose me gojë; 
  • Dokumente të tjera të lëshuara para 10 qershorit 1999 nga organet e tjera duke përfshirë, por duke mos u kufizuar në institucionet arsimore shëndetësore politike dhe fetare dhe organet e tjera kuazi-zyrtare, të mbështetura kur është e nevojshme nga dëshmi të pavarura konfirmuese qoftë me shkrim ose me gojë; ose 
  • Ndonjë dëshmi tjetër të besueshme, përfshirë dëshmitë e dëshmitarëve që tregojnë se pala i plotëson kriteret e vendbanimit të përhershëm.