Follow us on:

Mediat koreane mahniten me mundësitë turistike që i ofron Kosova

Kosovë, 1 qershor 2018 – Pas 4 ditëve qëndrimi, shtatë përfaqësues mediash koreane u larguan nga Kosova me përshtypjet më të mira për atraksionet turistike të shtetit më të ri në Europë. Publikimet që këto media filluan ti postojnë në mediat e tyre akoma pa e përfunduar vizitën na bëjnë të kuptojmë se kjo vizitë i kishte tejkaluar parashikimet e tyre për vendin.

Gjatë vizitës në Kosovë, ata vizituan shumë atraksione kulturore dhe turistike. Atyre më së shumti iu pëlqeu qyteti i vjetër i Prizrenit ku patën mundësi të vizitojnë pikat kryesore të kultit e religjionit (kompleksin e Ligës së Prizrenit, shatërvanin, urën e gurit, hamamin, kishat e xhamitë), si dhe dyqanet e zanateve të ndryshme si filigran e veshje kombëtare. Gjatë vizitës në Prizren gazetarët i priti edhe Kryetari i Prizrenit ky pjesë e diskutimit ishte historiku i Prizrenit dhe potenciali turistik. Disa nga gazetarët korean patën mundësinë ta vizitojnë edhe kalanë e qytetit si dhe patën mundësi që gjatë darkës me ushqim tradicional autokton të takojnë dhe bashkëbisedojnë me organizatorët e festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar Dokufest. 

 

Pamjet magjepse nga Gryka e Rugovës, me ujëvarat dhe shkëmbinjtë madhështor të kësaj pjese të çmuar të Kosovës, në kombinim edhe me veprat e ndërtuara së fundi si Zip Line, iu lanë shumë përshtypje të mira gazetarëve koreanë. Gjatë vizitës në Grykën e Rugovës disa nga gazetarët provuan edhe aktivitetin e Zip Line-it e që ishte mjaft mbresëlënëse për ta. Në këtë pjesë ata patën mundësi gjithashtu të vizitojnë edhe qytetin e Pejës ku veçuan Patriarkanën, çarshinë e qytetit me dyqanet e zanatçive. Në Pejë, gjatë drekës, ata u takuan me drejtorin e kulturës së komunës, perfaqësuesit e Anibarit dhe zyrës turistike komunale ku patën rastin të kenë informim relevant rreth komunës dhe turizmit në këtë regjion.  

 

Grupi pastaj udhëtoi për në Kullën e Zymberajve në Junik ku morën pjesë në përgatitjen e flisë dhe u pritën nga plaku i shtëpisë i cili edhe u shpjegoi zakonet e odës tradicionale të Dukagjinit. Në Kullën e Zymberajve gazetarët u impresionuan pa masë sa i përket traditave dhe ushqimit, e disa prej tyre vërejtën edhe një lloj ngjajshmërie mes traditave tona dhe të tyre. Mysafirët vizituan edhe Gjakovën, çarshinë e Vjetër, Xhaminë e Hadumit, Teqën e Sheh Eminit dhe Urën e Fshenjtë, e gjithashtu u pritën edhe nga kryetari i Gjakovës në Hanin e Haraqisë, i cili i njoftoi me historikun e Gjakovës dhe potencialin turistik në këtë komunë. Tek gazetarët zgjoi interesim dhe u la përshtypje numri i kafeneve në çarshinë e vjetër dhe Xhamija e Hadumit. Pastaj, ata vizituan  prodhuesin e verërave Stone Castle në Rahovec ku degustuan lloje të ndryshme të verës dhe konjakut e famshëm të kësaj kompanie.

 

Gazetarëve koreanë gjithashtu iu prezantuan bukuritë natyrore të Maleve të Sharrit (Prevalla e Brezovica). Prevalla ishte një ndër bukuritë natyrore ku gazetarët u impresionuan pa masë dhe dëshironin të shpenzonin më shume kohë për foto. 

 

Memoriali Adem Jashari ne Prekaz u dha mundësinë të mësojnë për periudhën e re të historisë së Kosovës dhe siç ndodh edhe me vizitorët tjerë ata ishin të prekur  nga rrëfimet e të kaluarës por edhe të impresionuar nga ambienti përreth memorialit. 

 

Kryeqyteti i Kosovës me një variete pikash interesante si Muzeu Etnologjik, Biblioteka, Muzeu Kombëtar, Galeria e Arteve, simboli Newborn, si dhe xhiruan pamje nga Katedrala. Shpella e Gadimës, Parku Arkeologjik Ulpiana dhe Tyrbja e Sulltan Muratit ishin poashtu  nga atraksionet më interesante që vizituan. Gjatë vizitës së tyrbes, gazetarët u interesuan për historinë e periudhës së Perandorisë Osmane në Kosovë. Gjatë vizitës në Graçanicë gazetarëve u bëri përshtypje edhe Manastiri i Graçanicës ku u mësuan shumë për historin e asaj kohe, mirëpo ishte e pamundur të bënin foto. 

 

Gazetarët ishin mjaft të kënaqur me bukuritë natyrore të vendit, me ngrohtësinë dhe mikpritjen e kosovarëve, trashëgiminë kulturore, me qytetet e vjetra. Ata u shprehën se kjo është mundësi e shkëlqyeshme për tu njohur me kulturat dhe traditat e Kosovës, dhe theksuan se do të angazhohen në prezantimin e shtetit të Kosovës tek publiku korean. Të gjithë të pranishmit veçuan se Kosova është një shtet i qetë, jo sikur kishin menduar paraprakisht, me histori të dhimbshme, me njerëz të qetë e të lumtur, dhe me ushqim të pasur e shijshëm. 

 

Ky aktivitet është bashkë organizuar nga Ambasadat e Kosovës dhe Shqipërisë në Tokio me Turkish Airlines në Seul, si dhe MPJ e Kosovës e SwissContact në Prishtinë në njërën anë, dhe institucionet përkatëse si Agjencia Kombëtare e Turizmit të Republikës së Shqipërisë në anën tjetër. Ambasadori i Kosovës Leon Malazogu e ka përcjell aktivitetin në Kosovë. Me këtë rast, falënderojmë shumë mediat vendore për interesimin dhe mbulimin e kësaj vizite të parë të këtij lloji nga Republika e Koresë. Gjithashtu duhet çmuar kontributin dhe bashkëpunimin e ofruar të kryetarëve të komunave të Pejës, Junikut, Gjakovës dhe Prizrenit. Edhe zyrtarë tjerë pritën gazetarët koreanë, në mes tjerash një këshilltar i kryeministrit, disa artistë si dhe kompani që merren me turizëm.