Follow us on:

Ambasadori Malazogu takoi Kryetarin e Kuvendit të Japonisë

Tokio, 11 korrik 2018 – Ambasadori i Republikës së Kosovës në Japoni Sh. T. Z. Leon Malazogu, takoi Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Japonisë, Sh. T. Z. Tadamori Oshima.

Kryetari Oshima e uroi për dhjetëvjetorin e shpalljes së pavarësisë, dhe nënvizoi se viti tjetër kur Kosova dhe Japonia festojnë dhjetëvjetorin e vendosjes së marrëdhënieve dypalëshe është një moment i ri për thellimin e raporteve gjithnjë e më të afërta ndërmjet dy shteteve. Kryetari Oshima e bëri një përmbledhje të raporteve në mes të dy vendeve, duke përfshirë shkëmbimin e vizitave të nivelit të lartë nga të dyja anët, mbajtjen e konsultimeve të vazhdueshme politike ndërmjet MPJ-ve, si dhe ceku themelimin nën ombrellën e Kryeministrit të Japonisë, Sh. T. Z. Shinzo Abe, të iniciativës japoneze për Ballkanin Perëndimor. Ai përmendi edhe sukseset e Kosovës në sport dhe uroi që Kosova të fitojë edhe më shumë medale në Lojërat Olimpike Verore në Tokio 2020.

 

Ambasadori Malazogu e falënderoi kryetarin Oshima për ndihmën ndaj Kosovës që nga paslufta ku “Japonia ka qenë një ndër partnerët kryesorë të vendit tonë, përkundër largësisë”. Ambasadori shtoi se Kosova çmon lartë nismën e re të Kryeministrit Abe për angazhim më të afërt me Ballkanin Perëndimor. Në aspektin bilateral, ambasadori njoftoi kryetarin Oshima se Kosova ndan qëndrimin me Japoninë për çështjet ndërkombëtare dhe Japonia mund të mbështetet në Kosovën si aleat afatgjatë. Ambasadori e njoftoi me aktivitetet përgatitore për shënimin e dhjetëvjetorit të marrëdhënieve diplomatike vitin tjetër, ku me këtë rast ftoi kryetarin Oshima ta vizitojë Kosovën, dhe e informoi për themelimin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Kosovë-Japoni në Kuvendin e Kosovës si dhe theksoi rëndësinë e shkëmbimeve parlamentare ndërmjet institucioneve homologe të të dyja shteteve. 

 

Z. Oshima u interesua shumë për traditat e Kosovës dhe ngjashmëritë në mes të dy shoqërive që i prezantoi Ambasadori. Z. Oshima shprehu bindjen se vlerat e Kosovës do t’i ndihmojnë rajonit që të kalojë vështirësitë me të cilat ballafaqohet. Ambasadori Malazogu në takim ishte i shoqëruar nga diplomati Enis Xhemaili.