Follow us on:

Agjencitë turistike japoneze vizitojnë Kosovën për ta pasuruar ofertën e tyre në Japoni

Prishtinë, 17 korrik 2018 – Ambasada e Republikës së Kosovës në Tokio për herë të parë po e organizon vizitën e agjencive turistike dhe operatorëve të udhëtimit të Japonisë në Kosovë dhe Shqipëri, nga 18 deri më 23 korrik 2018.

Qëllimi i vizitës së këtyre 8 operatorëve prestigjioz japonez është të njihen me atraksionet turistike, ofertat e akomodimit, shërbimet hoteliere, e shërbimet e transportit, si dhe me aktivitetet e ngjarjet kulturore-artistike me qëllim të pasurimit të ofertave e produkteve ekzistuese të tyre si dhe ofrimit të paketave të reja në tregun japonez. Kompanitë japoneze gjithashtu do të kenë rastin të takohen me kompanitë kosovare, gjatë forumit B2B (business to bussiness) ku vihen ura bashkëpunimi me agjencitë turistike kosovare, me shpresë lidhjen e bashkëpunimeve.

 

Kosova si shtet i ri njihet pak apo aspak nga japonezët. Ndaj, Ambasada e Republikës së Kosovës në Tokio e ka vendosur turizmin në krye të prioriteteve të veta, me synimin që përmes rritjes së numrit të turistëve, të përmirësohet imazhi i vendit si parakusht edhe për tërheqje të investitorëve.

 

Duhet theksuar se viteve të fundit është rritur numri i turistëve japonezë në Kosovë. Ambasada ka organizuar një numër aktivitetesh që i kanë shërbyer imazhit të Kosovës në Japoni, si përmes pjesëmarrjes në panaire, ekspozitave, intervistave, prezantimeve në shkolla, takimeve të drejtpërdrejta me agjenci turistike, apo përmes anëtarësimit në Këshillin Japonez për Turistë Jashtë vendit (Japan Outbound Tourism Council).

 

Kjo vizitë familjarizuese është duke u organizuar në bashkëpunim me Shoqatën Japoneze të Agjencive Turistike (JATA) e me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Tokio, me përkrahje të Turkish Airlines në Tokio, Swisscontact në Prishtinë si dhe Agjencisë Kombëtare të Turizmit në Tiranë. Ndërkaq, pjesëmarrës janë agjenci të njohura turistike në Japoni, si World-Air-Sea Service Ltd., MIKI Tourist, KUONI group (bashkëpunëtor i JTB), Hankyu Travel International Co. Ltd., Nihonbashi Yumeya, Five Star Club Inc., Travel.jp Navigator, e Yama Oto Umi (Y-O-U) Ltd.