Follow us on:

Kryetari i Kuvendit Veseli viziton Tokion

Tokio, 13-15 mars 2019 - Me rastin e shënimit të dhjetë vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Kosovë – Japoni, respektivisht shënimin e njëmbëdhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në Tokio, në vizitë pune, ka qëndruar Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Sh. T. Z. Kadri Veseli.

Gjatë kësaj vizite në Japoni, Kryeparlamentari Veseli në takimin e parë është pritur nga homologu i tij Sh. T. Z. Oshima Tadamori - Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të Japonisë. Kryetari i Kuvendit z. Veseli gjithashtu ka takuar z. Taro Kono - Ministër i Punëve të Jashtme të Japonisë, z. Wakamiya Kenji - Kryetar i Komisioni për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Japonisë, ka realizuar një drekë pune me disa ambasadorë të akredituar në Tokio nga shtetet e Paqësorit si dhe darkë pune me Ligën e Miqësisë Kosovë-Japoni në Dhomën e Përfaqësuesve të Japonisë. 

 

Kjo vizitë e z. Veseli në Tokio përveç se ka shërbyer për të treguar marrëdhëniet e mira që kanë dy shtetet, ishte edhe një vizitë e frytshme në hapjen e kanaleve të reja të komunikimit me institucionet e Japonisë. Në historinë moderne të Kosovës, ky ishte edhe takimi i parë që është realizuar ndonjëherë në mes të dy krerëve të parlamenteve përkatëse. 

 

Takimi me  Ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë z. Seko ishte mundësi e mirë që kryeparlamentari z. Veseli të prezantojë të arriturat dhe situatën politike e ekonomike në vend. Me këtë rast z. Veseli përmes Ministrit Seko ka ftuar bizneset dhe industritë japoneze për të investuar në Kosovë. 

 

Gjatë kësaj vizite në Tokio, Kryetari i Kuvendit z. Veseli ka dhënë dy intervista për mediat japoneze.

 

Me rastin e 10-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike me Japoninë dhe me rastin e vizitës së Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Ambasada e Republikës së Kosovës në Tokio organizoi një pritje ku Kryeparlamentari Veseli pati fjalim krahas Ambasadorit Malazogu, Kryetarit të Ligës së Miqësisë në Dhomën e Përfaqësuesve të Japonisë z. Shionoya, ndihmës Ministrit të Jashtëm Saito njëherit Ambasador për Ballkanin, ish-Përfaqësuesit të Përhershëm të Japonisë në Këshill të Sigurimit Ambasadorit Okamura si dhe ish-Ambasadorit të Japonisë për Kosovë, z. Taketoshi.