Follow us on:

Presidenti Thaçi në Japoni: Ceremonia e kurorëzimit, Bilateralja me Kryeministrin dhe ceremonia e ndarjes së çmimeve “Faleminderit Japoni”

Tokio, 21-24 tetor 2019 – Presidenti i Republikës së Kosovës, ShTZ Hashim Thaçi, realizoi një vizitë treditore në Japoni, ku mori pjesë në Ceremoninë e kurorëzimit të Perandorit Naruhito, u prit në takim bilateral nga Kryeministri Abe, dhe ndau çmime presidenciale për nëntë personalitete japoneze.

Me të arritur në Tokio, Presidenti Thaçi u prit në një takim pune nga Kryeministri Abe. Të dy liderët riafirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe shprehën gatishmërinë e tyre për të thelluar tutje bashkëpunimin në fusha të shumta, sidomos në ekonomi. Ky ishte takimi i tyre i dytë sivjet, pas dialogut bilateral të nivelit të lart të realizuar në shtator 2019.

 

Më 22 tetor, Presidenti së bashku me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Japoni morën pjesë në “Sokurei Seiden-no-gi”, Ceremoninë e Kurorëzimit të Lartmadhërisë së Tij Perandorit Naruhito në Pallatin Perandorak në Tokio. “Kyoen-no-gi”, banketi pas ceremonisë së kurorëzimit pasoi në Pallatin Perandorak. Me këtë rast, Presidenti Thaçi, në emër të popullit të Kosovës, i shprehu urimet më të ngrohta dhe dëshirat për paqe dhe prosperitet gjatë epokës “Reiwa” për Perandorin Naruhito dhe të gjithë popullin e Japonisë.

 

Edhe Kryeministri i Japonisë dhe bashkëshortja e tij organizuan një pritje në respekt të krerëve të më shumë se 180 shteteve pjesëmarrës në ceremoninë e Kurorëzimit. Gjatë kësaj ngjarje, Presidenti dhe shoqëruesit e tij patën mundësinë të përshëndeten dhe diskutojnë me shumë pjesëmarrës, personalitete të huaja të nivelit të lartë.

 

Gjatë kësaj vizite, si pjesë e aktiviteteve në rritje për shënimin e 10 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, Ambasada e Republikës së Kosovës në Tokio, së bashku me Ligën e Miqësisë Japoni-Kosovë në Dhomën e Përfaqësuesve të Japonisë, organizuan ceremoninë e dhënies së çmimeve dhe fjalimin e Presidentit në hapësira të Parlamentit të Japonisë. Presidenti e shfrytëzoi këtu rastin të vlerësojë lartë asistencën dhe përkrahjen e vazhdueshme të Japonisë dhe popullit japonez për Kosovën, dhe nënvizoi që dekada e dytë e marrëdhënieve bilaterale duhet të jetë ajo e thellimit të mëtejshëm të raporteve në shumë fusha sidomos në ekonomi. Këtu, Presidenti ftoi popullin japonez të vizitojnë dhe investojnë në Kosovë. 

 

Me këtë rast, medalje presidenciale iu dhuruan nëntë personaliteteve japoneze, duke përfshirë znj. Yuriko Koike – Guvernatore e Tokios, z. Ryu Shionoya – Kryesues i Ligës së Miqësisë Japoni-Kosovë në Parlamentin e Japonisë, z. Iijima Isao – Konsull i përgjithshëm i nderit i Republikës së Kosovës në Tokio, Ambasador Yoshifumi Okamura – ish Përfaqësues i Përhershëm i Japonisë në Kombet e Bashkuara, z. Ken Inoue – ish Administrator i Komunës Skënderaj, Hospitalin Tokyo Adventist, dhe shoqatën ADRA – the Adventist Development and Relief Agency.

 

Kjo është vizita e katërt zyrtare e Shkëlqesisë së Tij Z. Hashim Thaçi në Japoni, dy herë si Kryeministër dhe tani dy herë si President i Republikës së Kosovës. Në këtë vizitë, Presidenti Thaçi u shoqërua nga ShTZ Leon Malazogu – Ambasador i Republikës së Kosovës në Japoni, dhe Z. Ardian Arifaj – Zëvendësshef i kabinetit dhe këshilltar politik i Presidentit. 

 

Para kthimin në atdhe, Presidenti falënderoi stafin e Ambasadës.