Follow us on:

KOMITETI PËR MBROJTJE KUNDËR CORONAVIRUSIT U LUTET BASHKATDHETARËVE TË REDUKTOJNË VIZITAT NË VENDLINDJE

Prishtinë, 11 mars 2020 - Komiteti për Koordinimin dhe Vlerësimin e situatës epidemiologjike dhe mbrojtjen nga rreziku i përhapjes së Coronavirusit në Republikën e Kosovës, u bën thirrje të gjithë bashkatdhetarëve që të përpiqen të reduktojnë në minimum vizitat në vendlindje, gjatë javëve në vazhdim.

Kosova është një nga vendet e pakta evropiane ku ende nuk është konfirmuar prania e COVID 19. Mirëpo, duke pasur parasysh situatën e krijuar së fundmi, në Itali dhe vendet tjera në rajon, rreziku i përhapjes së këtij virusi vdekjeprurës është shumë i madh.  

 

Për rrjedhojë, ky komitet, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, u lutet bashkatdhetarëve të kenë mirëkuptim ndaj kërkesës për reduktim të vizitave në vendlindje, duke pasur parasysh se Kosova është një shtet i ri, në zhvillim, dhe me një sistem shëndetësor që ka kaluar nëpër shumë sfida.  

 

Ju bëjmë të ditur se Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës ka përgatitur Planin e Veprimit për zbatimin e Planit të Gatishmërisë dhe të Reagimit kundër Covid-19, Qeveria ka ndarë mbi dhjetë milionë euro për nevojat e zbatimit të këtij plani dhe në rast nevoje do të merren edhe masa të tjera për të parandaluar rrezikun e përhapjes së virusit që e detyroi Italinë të funtet në karantinë.

 

COVID 19 është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të muajit dhjetor të vitit të kaluar, për t’u përhapur më pas, për pak javë, pothuajse në shumicën e vendeve të botës. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, deri më tani nga ky virus janë të prekur 121,738 veta në nivel global, janë shëruar 66,943 veta, kanë vdekur 4,382 veta, ndërkohë që vazhdojnë përpjekjet shkencore për gjetjen e vaksinës.