Follow us on:

Nënshkruhet MoU me Institutin Japonez për Investime të Jashtme (JOI)

Tokio, 8 janar 2021 – I ngarkuari me punë a.i. i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Japoni z. Enis Xhemaili ka vizituar Institutin Japonez për Investime të Jashtme (JOI) ku është pritur nga Presidenti i JOI z. Kohei Nakanishi. Gjatë kësaj vizite, me qëllim të thellimit të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, është nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Ambasadës së Republikës së Kosovës në Japoni dhe Institutit Japonez për Investime të jashtme (Japan Institute for Overseas Investment - JOI). “Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ambasadës dhe JOI u ofron investitorëve potencial japonez qasje, këshilla dhe informacione direkte për klimën investuese në Kosovë. Prandaj, shpresojmë të kemi më shumë investime të huaja direkte japoneze në Kosovë.” ka thënë z. Enis Xhemaili, I ngarkuar me punë, gjatë këtij takimi. Në anën tjetër z. Kohei Nakanishi u shpreh: “Kosova ka potencial të madh të rritjes me popullatë të re dhe presim tu ofrojmë informacione për klimën investuese në Kosovë kompanive japoneze duke bashkëpunuar me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Japoni”.

Me këtë rast u zhvillua bisedë e frytshme për aspekte të ndryshme ekonomike në Kosovë, si një vend atraktiv për investime, për të bërë biznes, dhe një shtet me potencial të lartë të tërheqjes së investitorëve japonezë. Kjo marrëveshje mundëson që në të ardhmen së bashku ambasada me JOI të organizojnë seminare, prezantime e forume biznesi për Kosovën me synim edhe të lidhjes ndërmjet bizneseve nga të dyja vendet.

Instituti Japonez për Investime të Jashtme - JOI (www.joi.or.jp) është organizatë think-tank themeluar në 1991 me iniciativë dhe kontribute të Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JBIC) për të promovuar FDI japoneze dhe biznesin ndërkombëtar. JOI mbledh dhe analizon informacione të ndryshme nga institucione e organizata të ndryshme në Japoni dhe jashtë saj dhe ua ofron këto informata anëtarëve të saj që numërojnë mbi 200 organizata duke përfshirë kompanitë më të mëdha japoneze, përmes seminareve biznesore, publikimeve, ueb shërbimeve, dhe aktiviteteve hulumtuese. Anëtarë i ka bizneset prodhuese, kompanitë e ndërtimit dhe inxhinierisë, shtëpitë tregtare, kompanitë e shërbimeve komunale, institucionet financiare, avokaturat, kompanitë e kontabiliteti, firmat këshilluese etj. Anëtarë special ka ambasadat e huaja në Japoni. Në vitin 2020 JOI ka organizuar mbi 50 aktivitete, shumica prej tyre uebinare online.