Follow us on:

Kosova, një destinacion i ri investimi dhe portë e Japonisë për në Europë

Tokio, 21 janar 2021 - Me ftesë të APA Group, i ngarkuari me punë Enis Xhemaili e ka mbajt një ligjëratë në APA Shouheijyuku Academy me temën “Kosova, një destinacion i ri investimi dhe portë e Japonisë për në Europë”. Fillimisht, Xhemaili bëri një rezyme të historisë, prezantoi të dhënat e përgjithshme demografike, nënvizoi raportet e shkëlqyera me Japoninë duke përfshirë ngjashmëritë.

Pastaj, në hollësi shpjegoi për mundësitë për investime, sektorët më atraktivë, rolin dhe funksionin e KIESA-s, dhe për atraksionet turistike. “I ftoj investitorët potencial japonezë nga të gjitha profilet ta konsiderojnë Kosovën si destinacion për investime” tha ndër të tjera Xhemaili.

Në fund të prezantimit, u dhanë komente pozitive nga pjesëmarrësit për hovin e progresit dhe arritjeve të Republikës së Kosovës dhe u shtruan disa pyetje që vënë edhe më shumë në pah sukseset dhe promovuan tutje Kosovën si një vend atraktiv për investime dhe për tu vizituar.

Përveç Kryeshefit Ekzekutiv të APA Group z. Toshio Motoya, në këtë aktivitet morën pjesë edhe rreth 80 persona, prej të cilëve deputetë (Kryetari i Ligës së Miqësisë Shqipëri-Japoni në Parlamentin e Japonisë z. Hiroshi Hase), akademikë nga universitete të ndryshme, studentë, afaristë, zyrtarë të institucioneve të ndryshme si dhe personalitete të shquara nga shoqëria japoneze. Ky aktivitet do të publikohet në revistën mujore “Apple Town” të APA Group që u shpërndahet mysafirëve në mbi 300 hotelet e APA Group-it në Japoni.

Ky aktivitet gjithashtu organizohet në kuadër të shënimit të festimeve për Përvjetorin e 13-të të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.