Follow us on:

U mbajt aktiviteti "Le të Udhëtojmë në Kosovë Online!"

Tokio, 6 shkurt 2021 - Me rastin e 13 vjetorit të Pavarësisë, Shoqata Ndërkombëtare Minato - MIA së bashku me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Japoni dhe Shoqatën e Miqësisë Japoni-Kosovë "Miqtë e Kosovës", organizuan një aktivitet të titulluar "Le të udhëtojmë Kosovë Online”. Qëllimi i aktivitetit ishte të paraqiste para audiencës japoneze atraksionet turistike të Kosovës në mënyrë virtuale, në mënyrë që populli japonez të rrisë interesin e tij për të udhëtuar në Kosovë pasi situata pandemike të përmirësohet.

Sekretari i Përgjithshëm i MIA-së Z. Yuzuru Kokado falënderoi pjesëmarrësit për pjesëmarrjen e tyre si dhe Ambasadën për bashkëpunimin në organizimin e kësaj ngjarje.

Së pari, i Ngarkuari me Punë Enis Xhemaili, pasi falënderoi organizatorët e kësaj ngjarje, prezantoi shkurtimisht informacione të përgjithshme në lidhje me Kosovën si demografinë, vendndodhjen gjeo-strategjike, kuptimin e flamurit, marrëdhëniet bilaterale me Japoninë, aktivitetet e JICA në Kosovë, aktivitetet e OJQ-ve në Kosovë që kanë lidhje me marrëdhëniet Kosovë-Japoni, infrastrukturën, marrëdhëniet Kosovë-BE, sportin, kulturën, muzikën dhe disa pamje të bukura të vendeve në Kosovë. Pastaj, dy video u luajtën për audiencën, njëra nga KIESA që paraqiste Kosovën si një Destinacion Udhëtimi dhe tjetra nga MPJD e Kosovës që paraqiste atraksione të ndryshme, të dyja me përkthim simultant në japonisht. Më vonë, pjesëmarrësve përmes kamerës iu shfaqën objekte të ndryshme, përfshirë veshjet kombëtare të ekspozuara në Ambasadë.

Znj. Yumi Yasuda, Përfaqësuese e Shoqatës së Miqësisë Japoni-Kosovë "Miqtë e Kosovës" gjithashtu mbajti një prezantim në lidhje me përvojën e saj ndërsa jetonte në Kosovë (5 vjet), duke treguar fotografi të qyteteve të ndryshme të Kosovës, ushqime të shijshme dhe pamje të bukura të trashëgimisë kulturore. Ajo i lavdëroi njerëzit për mirëdashjen e tyre veçanërisht ndaj Japonezëve.

Tridhjetë e pesë pjesëmarrës, kryesisht qytetarë të Lagjes Minato në Tokio, anëtarë të shoqatës MIA, morën pjesë në këtë aktivitet. Ata gjithashtu bënë pyetje në lidhje me ushqimet e preferuara japoneze dhe kosovare të z. Xhemaili, në lidhje me numrin e kosovarëve që jetojnë në Japoni, përvojën e tij në Japoni, etj.

Të gjithë folësit uruan shëndet, paqe dhe prosperitet për njerëzit dhe institucionet e Republikës së Kosovës me rastin e përvjetorit të Pavarësisë.