Follow us on:

I Ngarkuari me Punë Enis Xhemaili prezantoi mundësitë dhe përparësitë e investimeve në Kosovë

Tokio, 16 shkurt 2021 – Në kuadër të festimeve për 13 vjetorin e Pavarësisë, I ngarkuari me punë a.i. i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Japoni, z. Enis Xhemaili, ka ligjëruar në edicionin e 74-të të programit “Talk Show” të organizuar nga Top Connect Co. Ltd. të udhëhequr nga z. Uchida Masaaki. Fillimisht, z. Xhemaili ka prezantuar informacione të përgjithshme e demografike për Kosovën, raportet bilaterale me Japoninë, situatën ekonomike, klimën atraktive të investimeve, arsyet e përparësitë për investime në Kosovë, sektorët kryesorë e potencial për investime, dhe të ngjashme. “Me popullsi të re dhe pozitë atraktive gjeostrategjike, Kosova seriozisht duhet konsideruar si një portë për investitorët japonez në Europë” u ka thënë ndër të tjera z. Xhemaili mbi 20 biznesmenë dhe të pranishmëve nga lëmi të ndryshme në këtë aktivitet.

Në pjesën e dytë, z. Uchida ka bashkëbiseduar me z. Xhemaili në lidhjen me jetën e tij si diplomat në Tokio, ushqimet e preferuara kosovare e japoneze, kohën e lirë e të ngjashme. Z. Uchida i ka ftuar të pranishmit ta vizitojnë Kosovën. Video promovuese të KIESA-s rreth investimeve dhe produkteve në Kosovë gjithashtu u janë shfaqur të pranishmëve.

Gjatë hapësirës për pyetje-përgjigje, të pranishmit shtruan pyetje për verërat kosovare, për fushën e dizajnit të modës, me cilat aviokompani mund të udhëtohet nga Japonia në Kosovë, dhe të ngjashme. Në fund, të pranishmit e bënë një kuiz me pyetje rreth Kosovës. Fituesi fitoi një verë kosovare ndërkaq të dytit iu dhurua libri “Kosova, një histori e shkurtër” nga Noel Malcolm.

Të gjithë u ndanë të kënaqur nga ky aktivitet me shpresë që në të ardhmen ta vizitojnë Kosovën dhe sinqerisht ta konsiderojnë atë si një vend atraktiv për investime.