Follow us on:

Urimi për pavarësi i z. Enis Xhemaili, i ngarkuar me punë publikohet në gazetën e përditshme The Japan Times

Tokio, 17 shkurt 2021 – Me rastin e përvjetorit të 13-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, gazeta e përditshme japoneze “The Japan Times” ka publikuar urimin e të ngarkuarit me punë a.i. z. Enis Xhemaili të dedikuar grave kosovare. “Këtë vit do të doja të falënderoja GRATË e Kosovës, kontributet, arritjet dhe sakrificat kryesore të të cilave në Kosovë dhe përtej na bëjnë aq shumë krenarë. Gratë janë KRENARIA jonë KOMBËTARE dhe Kosova është shumë MIRËNJOHËSE!” është komenti që z. Xhemaili e ka bërë në rrjetet sociale për këtë rast.

Teksti i plotë i përkthyer dhe përshtatur në gjuhën shqipe:

Speciale për Ditën Kombëtare të Kosovës

Gratë tona janë burim i krenarisë kombëtare

Enis Xhemaili, i ngarkuar me punë a.i.

Në këtë përvjetor të 13-të të Pavarësisë, do të doja të nderoja gratë e Kosovës. Kontributet, arritjet dhe sakrificat e tyre në shumë fusha për liri, paqe dhe prosperitet shtrihen përtej atdheut të Republikës së Kosovës.

Më e famshme është Shën Nënë Tereza, e cila ndërsa përqendrohej tek më të varfrit e të varfërve, përhapte botërisht gëzim, dashuri dhe kujdes.
Shote Galica, një luftëtare e shquar, mbahet mend për thënien: “Jeta pa dije është si një luftë pa armë.”

Vasfije Krasniqi, njëra prej afërsisht 20,000 grave që duruan dhunën etnike gjatë Luftës së Kosovës në 1999, ishte e para që foli hapur për këtë temë. Memoriali “Heroinat” u zbulua në Prishtinë në vitin 2015 për të nderuar të gjitha gratë kosovare aktive gjatë luftës.

Atifete Jahjaga ishte presidentja e parë femër e Kosovës dhe një nga të parat në Europën Juglindore. Vjosa Osmani-Sadriu është kryetarja e parë femër e Kuvendit dhe Meliza Haradinaj-Stublla është ministrja jonë e parë grua e punëve të jashtme.

Hana Qerimi, bashkëthemeluese e Digital School, është fituese e çmimit Gratë Shqiptare në Çmimet TIK 2018 dhe pjesëmarrëse në Programin Global Mentorship Fortune 500.

Super yjet e muzikës pop Rita Ora dhe Dua Lipa janë refugjate të lindura në Kosovë prindërit e të cilave u larguan në Mbretërinë e Bashkuar. Nexhmije Pagarusha ishte një muzikante dhe aktore e mirënjohur, shpesh e referuar si mbretëresha e muzikës kosovare për diapazonin e saj të dallueshëm vokal prej sopranoje.

Xhudistja Majlinda Kelmendi u bë e para kosovare që fitoi të artën olimpike pasi triumfoi në kategorinë 52-kg në Lojërat Olimpike në Rio de Janeiro në 2016. Distria Krasniqi, një tjetër xhudiste, ka fituar 32 medalje në gara të mëdha, ku së fundmi ka marrë medaljen e artë në garat World Masters 2021 të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos në Doha.

Nezakete Hakaj është presidente e Shoqatës së Alumni-ve të JICA-së në Kosovë ndërsa Luljeta Arifi është presidente e Shoqatës së Miqësisë Kosovare-Japoneze. Anjeza Alaj, Dea Luma dhe Arbenita Sopaj janë disa nga studentet kosovare të doktoratës që kanë studiuar në Japoni.
Si përfundim, Republika e Kosovës është një vend i ri e i vogël europian me një prani në rritje në skenën ndërkombëtare. Roli i grave tona në shumë fusha është thelbësor dhe Kosova është përjetësisht mirënjohëse. Gratë janë krenaria jonë kombëtare. E ardhmja e marrëdhënieve Kosovë-Japoni është e ndritshme dhe premton arritje të mëdha.

Vërejtje nga gazeta: Kjo përmbajtje është përpiluar në bashkëpunim me ambasadën. Pikëpamjet e shprehura këtu nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të gazetës.

Kosovo National Day Special (Document)