Follow us on:

Ambasadori Malazogu dorëzon kredencialet në F. Sh. të Mikronezisë

Palikir, Federata e Shteteve të Mikronezisë, 13 shtator 2017 – Ambasadori i Republikës së Kosovës z. Leon Malazogu i ka dorëzuar letrat kredenciale Presidentit të Federatës së Shteteve të Mikronezisë, Sh. T. Z. Peter M. Christian.

Krahas përcjelljes së përshëndetjeve nga Presidenti Thaçi dhe Ministri i Jashtëm Pacolli, ambasadori Malazogu ka falënderuar Presidentin Christian për mbështetjen që shteti i tij ia ka dhënë në vazhdimësi Kosovës në anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtare dhe për mikpritjen e ofruar gjatë qëndrimit në Pohnpei. Malazogu theksoi traditat dhe historinë e ngjashme të dy vendeve, aleancat e përbashkëta si dhe theksoi nevojën që vendet e vogla të punojnë së bashku në sferën ndërkombëtare. 

 

Duke vlerësuar bashkëpunimin dhe avancimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, Presidenti Christian ka ofruar vazhdimin e përkrahjes për Kosovën në nivel bilateral, multilateral si dhe përkrahjen e Kosovës tek vendet tjera. Ceremonia e dorëzimit të letrave kredenciale është realizuar në praninë edhe të burrështetasve të tjerë të vendit, duke përfshirë zëvendës presidentin, kongresmenë, ministra, dhe përfaqësues të të tre niveleve administrative: federal, shtetëror, dhe komunal. 

 

Me këtë rast, Ambasadori Malazogu ka realizuar takime të veçanta me Kryetarin e Kongresit z. Wesley Simina, Zëvendës Sekretarin e Departamentit për Punë të Jashtme Ambasadorin Samson Pretrick, Qeveritarin e Shtetit Pohnpei z. Marcelo K. Peterson. Malazogu gjithashtu realizoi takime tjera me ambasadorët rezidentë të Japonisë dhe SHBA-ve si dhe ambasadoren jo-rezidente të Zelandës së Re, me të cilën dorëzuan letrat kredenciale në të njëjtën ditë.  

 

Vizita është realizuar me rastin e fillimeve të punimeve të seancës së 20-të të Kongresit dhe Ambasadori Malazogu morri pjesë në hapjen e punimeve ku takoi guvernatorët e disa shteteve si dhe kongresmenë dhe zyrtarë tjerë. Në ditët në vijim, Malazogu do të takojë edhe Sekretarin e Departamentit për Punë të Jashtme Sh. T. Z. Lorin Robert, të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Australisë. 

 

Është hera e parë që një ambasador kosovar jo-rezident akreditohet në këtë shtet. Federata e Shteteve të Mikronezisë e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës më 5 dhjetor 2008, ndërkaq marrëdhëniet diplomatike janë vendosur më 17 shtator 2013.