Follow us on:

Diplomatit kosovar i ndahet çmimi “Ambasador për paqe”

Tokio, 30 mars 2018 – Organizata “Universal Peace Federation (UPF) – Japan” në Forumin e 32-të të Diplomatëve për Paqe ia ka ndarë diplomatit kosovar me shërbim në Japoni z. Enis Xhemaili çmimin “Ambasador për paqe”.

Me këtë rast, z. Xhemaili e mbajti një fjalë të shkurtër rasti. Pasi i përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi organizatorët e këtij Forumi, z. Xhemaili tha se këtë çmim ia dedikon të gjithë njerëzve të shtetit të tij të cilët kërkonin paqe 20 vjet më parë, dhe familjes së tij që e arsimuan edhe atëherë kur gjuha amtare e tij, gjuha shqipe, ishte e ndaluar në shkolla. Diplomati Xhemaili nënvizoi se është krenar që përfaqëson shtetin që nga Japonia tani konsiderohet si shtet i sigurt për tu vizituar, dhe për arritjet sidomos në 10 vitet e fundit. Për këto arritje të Kosovës, ai iu shprehi falënderime të veçanta dy personaliteteve me renome botërore japoneze, ish-Komisioneres së UNHCR-së znj. Sadako OGATA si dhe ish-Presidentit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë z. Hisashi OWADA – ky i fundit shërbeu në kohën kur për Kosovën u dha opinioni se deklarata e Pavarësisë së  Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. 

 

“Universal Peace Federation (UPF) – Japan” (Federata Unversale për Paqe (UPF) – Japoni) me rrjetin global të Ambasadorëve për Paqe, është një organizatë jo-qeveritare me seli në Nju Jork të SHBA-ve, me status të veçant konsultativ me Këshillin Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara, e cila është e dedikuar në ndërtimin e kulturës për paqe përmes promovimit të dialogut ndërfetar e ndërkulturor, fuqizimit të familjeve dhe vlerave të martesës, dhe ndihmës për zhvillimin e njerëzimit. Së bashku me diplomatin Xhemaili, ky çmim iu nda edhe Ambasadorit të Etiopisë në Japoni Sh. T. Z.  Cham Ugala Uriat, ish-Ambasadorit të Japonisë në Australi dhe Ambasador et Large për të Drejta të Njeriut dhe Çështje Humanitare Z. Hideaki Ueda, dhe Drejtore e parë Ekzekutive e Universitetit të Kombeve të Bashkuara dhe Presidente e Shoqatës së Shërbyesve Civil Ndërkombëtar të Japonis Znj. Momoyo Ise.