Follow us on:

Në Ambasadën e Kosovës në Hagë promovohet libri i parë turistik për Kosovën në gjuhën holandeze

Hagë, 15 maj 2019 – Ambasada e Republikës së Kosovës në Hagë ka organizuar një ceremoni ku është promovuar libri i parë turistik për Kosovën në gjuhën holandeze, i autores Gerda Mulder. Libri përmban informata të shumta rreth potencialit turistik të Kosovës.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë përfaqësues të shumtë të kompanive turistike holandeze dhe ekspertë të turizmit. I ftuar i veçantë ishte edhe Dan Everts, ish shef i misionit të OSBE-së në Kosovë gjatë viteve 1999-2000.

Në hapje të ceremonisë, Ambasadori i Republikës së Kosovës, Lirim Greiçevci foli për mundësitë e jashtëzakonshme që ofron vendi ynë në fushën e turizmit, si dhe për përparimin që ka bërë Kosova gjatë 20 viteve të pasluftës. Ai po ashtu falënderoi autoren e librit, Gerda Mulder për kontributin e saj për promovimin e Kosovës. Ambasadori Greiçevci bëri thirrje qytetarëve holandezë që të vizitojnë Kosovën.

Në prezantimin e saj, autorja e librit Mulder foli për vende të ndryshme turistike, kulturën dhe mundësitë e shumta që ofron Kosova. Ajo i bëri thirrje bashkëvendasve të saj holandezë që të vizitojnë Kosovën, duke u garantuar se do të mahnitën me atë që do të gjejnë.

Një fjalë rasti e mori edhe Dan Everts, i cili vlerësoi lartë zhvillimin e Kosovës. Everts është shprehur i mahnitur me përvojën e tij sa ka qenë në Kosovë. Sipas Everts, Kosova dhe në veçanti malet e Sharrit janë vendi që duhet vizituar para se të vdes njeriu. Sipas Everts, është e jashtëzakonshme për të që njëzet vjet pas luftës, të jetë pjesë e një organizimi në Ambasadën e Kosovës në Hagë për të promovuar turizmin e Kosovës.

Në kuadër të kësaj ngjarjeje foli edhe Virtyt Gacaferri, organizator i vizitave turistike në Kosovë. Ai paraqiti disa mundësi dhe përparësi që ofron vendi ynë në fushën e turizmit.

Në këtë ceremoni Ambasada në Hagë ka ofruar për pjesëmarrësit verëra nga prodhues të Kosovës Theranda Wine, Kosova Wine, Stone Castle dhe Bodrumi i Vjetër.