Follow us on:

Shënohet në Hagë 20 vjetori i çlirimit të Kosovës, Gjenerali holandez porosit që të mos harrohet e kaluara dhe të ecet përpara

Hagë, 12 qershor 2019 - Me rastin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës dhe hyrjes së trupave të NATO-s, Ambasada e Republikës së Kosovës në Hagë ka organizuar një pritje ku kanë marrë pjesë Ambasadorë të akredituar në Mbretërinë e Holandës, diplomatë e përfaqësues të institucioneve holandeze. I ftuar i veçantë ishte Gjenerali holandez, Ton van Loon, komandant i trupave holandeze të KFOR-it në vitin 1999.

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Holandës, Lirim Greiçevci, në fjalimin e tij ka falënderuar shtetet anëtare të NATO-s për ndërhyrjen në Kosovë, në veçanti trupat holandeze për kontributin e tyre në çlirimin e Kosovës dhe ndërtimin e paqes.
Ai ka vlerësuar edhe rolin e Gjeneralit van Loon për kontributin e tij gjatë vitit 1999 në Kosovë.

Ambasadori Greiçevci më pas ka folur për të arriturat e vendit tonë gjatë këtyre dy dekadave, duke përmendur sukseset e shumta në fusha të ndryshme në Kosovë.

Ndërkohë, në fjalimin e tij, Gjenerali holandez, Ton van Loon, komandant i trupave holandeze të KFOR-it në vitin 1999, ka shpalosur përvojat e tij siç ka thënë, nga hyrja me helikopter në Kosovë më 12 qershor, e deri në përfundimin e misionit të tij për të ruajtur paqen në Kosovë.

Duke kujtuar tmerret që kishte parë pas çlirimit, Gjenerali van Loon i ka bërë thirrje popullit të Kosovës që kurrë të mos harrojnë të kaluarën, por të ecet përpara.

Me këtë rast, në Ambientet e Ambasadës së Kosovës është hapur edhe një ekspozitë me dokumente dhe fotografi nga Kosova e vitit 1999, të ofruara nga Ushtria holandeze.

Në këtë pritje, Ambasada në Hagë ka ofruar për pjesëmarrësit ushqime tradicionale dhe verëra të prodhuara në rajonet e Rahovecit dhe Suharekës, aty ku kanë shërbyer trupat holandeze të KFOR-it.