Follow us on:

Deputetë të Kuvendit të Kosovës realizuan vizitë zyrtare në Hagë

Hagë, 14 qershor 2019 - Një delegacion i Kuvendit të Kosovës, i përbërë nga deputetë të Komisioneve parlamentare për Punë të Jashtme dhe atij për Integrime Evropiane, kanë realizuar një vizitë zyrtare, ku kanë takuar deputetë holandezë dhe përfaqësues të MPJ të Holandës.

Në përbërje të delegacionit kanë qenë deputetët: Time Kadriaj, Zenun Pajaziti, Glauk Konjufca, Fatmire Kollçaku, Visar Ymeri dhe Milaim Zeka. Delegacionin parlamentar e kanë shoqëruar edhe Ambasadori, Lirim Greiçevci dhe Këshilltari, Besnik Ramadanaj.

Takimin e parë, deputetët e kanë zhvilluar me deputetët e Parlamentit të Holandës, Anne Mulder dhe Sven Koopmans nga partia VVD.

Në takim është diskutuar për procesin e liberalizimit të vizave, aspekteve të zgjerimit të BE-së, bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, etj.

Pas vizitës në Parlamentin e Holandës, deputetët kanë zhvilluar një takim edhe me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës, ku janë pritur nga Janna van der Velde, Udhëheqëse e Divizionit për Evropën Juglindore në MPJ të Mbretërisë së Holandës dhe bashkëpunëtorë të saj.

Me këtë rast, deputetët kanë kërkuar mbështetjen e Holandës për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.