Follow us on:

Ambasadorja Rudi takoi guvernatorin e Panamasë, Rafael Pino Pinto

Panama, 11 korrik 2017 – Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Panama, Zana Rudi ka takuar guvernatorin e Panamasë, Rafael Pino Pinto. Në takimin njohës, ambasadorja Rudi e informoi guvernatorin Pinto për të arriturat e Kosovës, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit në mes dy vendeve në promovimin e agjendës ekonomike dhe kulturore duke marrë për bazë modele të ndryshme shkëmbimi që Kosova dhe Panamaja ka realizuar tashmë nëpër botë. Ambasadorja Rudi i bëri gjithashtu ftesë Pintos që të realizojë një vizitë në Kosovë bashkë me përfaqësues të kompanive të ndryshme të Panamasë.

Pino Pinto falënderoi ambasadoren Rudi për vizitën në pallatin e guvernatorit, pallat ky i vjetër 100 vjet dhe me rëndësi historike për vendin.

Ai gjithashtu përgëzoi misionin e Kosovës për punën e deritanishme duke i falënderuar edhe për përzgjedhjen e qytetit të Panamasë për themelimin e misionit të parë dhe të vetëm në këtë pjesë të botës. Gjithashtu, guvernatori u shpreh më se i gatshëm për bashkëpunim me ambasadën e Kosovës në Panama.

Rafael Pino Pinto është avokat me profesion dhe është emëruar në detyrë në vitin 2014 nga Presidenti i Panamasë, Juan Carlos Varela, si guvernator i ri i provincës së Panamasë.

Roli i guvernatorit në Republikën e Panamasë është i rëndësishëm. Në planin administrativ e territorial Panamaja qeveriset nga nëntë guvernatorë të provincave dhe tre nga njësitë administrative të quajtura komarka, të cilët përzgjidhen nga Presidenti i vendit, gjë që i bën ata në një formë si krah politik të ekzekutivit.

Aktualisht, një rol i rëndësishëm i guvernatorëve shihet në procesin e decentralizimit në këtë vend. Detyra të tjera që hyjnë në fushëveprimin e guvernatorit janë inspektimi i godinave qeveritare, sigurimi i rendit publik, kushtetutshmëria, bashkërendimi me kontrollin e përgjithshëm të shtetit rreth buxheteve për investime, por midis tjerash dhe kompetencat për të pushuar kryebashkiakët nga funksionet në rast të shkeljeve.