Follow us on:

Ambasadorja Rudi viziton Republikën Dominikane

Santo Domingo, 8 gusht 2017 - Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Panama, Zana Rudi, zhvilloi një vizitë zyrtare në Republikën Dominikane ku pati disa takime të nivelit të lartë.

Në Republikën Dominikane, ambasadorja Rudi u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Dominikane, Miguel Vargas Maldonado të cilin e falënderoi në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përkrahjen e dhënë në arenën ndërkombëtare dhe e ftoi atë për një vizitë në Kosovë.


Gjatë këtij takimi, ambasadorja Rudi kërkoi nga ministri i Jashtëm Vargas përafrimin në mes të dy vendeve si hap paraprijës i së cilit është vendosja e marrëdhënieve diplomatike.


Ambasadorja Rudi e informoi ministrin Vargas për zhvillimet në Kosovë me theks të veçantë në subjektivitetin ndërkombëtar të vendit si dhe për praktikat e suksesshme në fushën e sigurisë dhe të tjera.


Ambasadorja Rudi bisedoi me ministrin Vargas për mundësinë e zhvillimit të konsultimeve politike në mes të ministrive, një agjende tregtare në mes dy vendeve, marrëveshje në fusha të interesit të përbashkët dhe tema tjera të rëndësishme të bashkëpunimit.


Gjatë kësaj vizite, ambasadorja Rudi zhvilloi edhe takime tjera me autoritete e këtij vendi për të përcaktuar agjendën e gjithmbarshme të bashkëpunimit ndërshtetëror.