Follow us on:

Ambasadorja Rudi takon Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme në Saint Kitts dhe Nevis

Basseterre, Charlestown, 24 prill 2018 - Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Panama, znj. Zana Rudi, është pritur në takime  të ndara me Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Federatës së Saint Kitts dhe Nevis  një ditë pas  prezantimit solemn të letrave kredenciale te Guvernatori i Përgjithshëm i Federatës së Saint Kitts dhe Nevis, Sir Tapley Seaton.

Në takimin me Kryeministrin z. Timothy Harris,  Ambasadorja Rudi tanimë si Ambasadore e parë e Kosovës e akredituar në Saint Kitts dhe Nevis përcolli përshëndetjet dhe falenderimet e Kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Ramush Haradinaj për njohjen dhe mbështetjen dhënë Kosovës nga Federata e Saint Kitts dhe Nevis si në rrafshin bileteral ashtu edhe në atë multilateral. Nga ana e tij, kryeministri Harris emërimin e Ambasadores Rudi e cilësoi si mundësi historike për afrimin e dy vendeve dhe duke vënë në pah sfidat që kanë kaluar të dyja vendet në rrafshin zhvillimor shprehu bindje për përafrim si shtete mike. Ai gjithashtu theksoi zotimin e parezervë për bashkëpunim në të gjitha cështjet  në arenën mulilaterale që dalin në pah kohë pas kohe.  

Në vazhdim Ambasadorja Rudi u prit nga z. Mark Brantley, Ministër i Punëve të Jashtme njëherit udhëheqës i Ishullit Nevis, njërës nga dy njësitë e Federatës së St.Kitts dhe Nevis. 

Me rastin e dorëzimit të kopjeve të letrave kredenciale tek Ministri Brantley Ambasadorja Rudi përcolli përshëndetjet e Zëvendës kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm z. Behgjet Pacolli bashkë me falenderimin për të arriturat në rrafshin e shkëmbimit diplomatik duke pasur në konsideratë se është krijuar bazë për përafrim dhe zgjerim të mëtejmë të shkëmbimit mes dy vendeve.

Ambasadorja Rudi e informoi Ministrin Brantley për zhvillimet në Kosovë dhe rajon në 10 vjetorin e pavarësisë duke theksuar rëndësinë që ka pasur njohja e Kosovës si një realitet gjeopolitik në rajon. Ministri Brantley përgëzoi për punën e ambasadores në këtë rajon si dhe për të arriturat e Kosovës dhe siguroi se përkrahja, bashkëpunimi dhe miqësia mes dy vendeve do të vazhdojnë të thellohen.

Në takimet e ndara me udhëheqësit e Federatës së Saint Kitts dhe Nevis Ambasadorja Rudi i ftoi ata që të vizitojnë Kosovën për të parë për së afërmi progresin e shënuar në vend.