Follow us on:

Ambasadorja Rudi i dorëzoi letrat kredenciale në Belize

Belmopan, 14 maj 2018 - Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Panama, znj. Zana Rudi, po qëndron në Belize, ku i ka dorëzuar letrat kredenciale si Ambasadorja e parë e Kosovës në këtë shtet të Amerikës Qendrore, që e ka njohur Kosovën në vitin 2008.

Gjatë prezantimit të kredencialeve te Guvernatori i Përgjithshëm i Belizesë, Sir Colville Young, Ambasadorja Rudi ka shprehur mirënjohjen e Republikës së Kosovës për njohjen menjeherë pas pavarësisë së vendit dhe mbështetjen e vazhdueshme që Belize ka ofruar për Kosovën. Ajo tha se është nder për të që të shërbej si ambasadorja e parë e Kosovës në Belize dhe shprehu gatishmërinë e saj për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe Belizesë.

Duke përcjellur përshëndetjet e Presidentit të Kosovës z. Hashim Thaçi për Guvernatorin Young, Ambasadorja Rudi theksoi vullnetin e shtetit të Kosovës për zgjerimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve në përgjithësi me Belizenë.

Gjatë qëndrimit në Belmopan, Ambasadorja Rudi ka takuar edhe Kryeministrin e Belizesë, z. Dean Barrow të cilit ia përcolli përshëndetjet e Kryeministrit të Kosovës, z. Ramush Haradinaj si dhe falenderimet për përkrahjen e vendit të tij për Kosovën në rrafshin bilateral dhe atë multilateral.

Ambasadorja Rudi dhe Kryeministri Barrow kanë diskutuar për nisjen e një faze të re të bashkëpunimit intensiv ndërmjet dy vendeve.

Kryeministri Barrow siguroi se përkrahja e Belizesë për shtetin e Kosovës si dhe interesimin për avancimin e bashkëpunimit bilateral do të vazhdojnë.

Ambasadorja Rudi ka dorëzuar edhe kopjet e letrave kredenciale te Ministri i Punëve të Jashtme të Belizesë, z. Wilfred Elrington.

Ministri Elrington dhe Ambasadorja Rudi, gjatë takimit të zhvilluar me këtë rast, biseduan për mundësitë konkrete të forcimit të bashkëpunimit dhe përafrimin e mëtejmë ndërmjet dy vendeve.

Në këtë kontekst, Ambasadorja Rudi, shpalosi edhe përkushtimin e Kosovës për fuqizimin e raporteve bilaterale ekonomike, kulturore e politike me Belizenë.

Ambasadorja Rudi përcolli, po ashtu, përshëndetjet e Zëvendëskryeministrit të parë, njëherësh Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, z. Behgjet Pacolli, për homologun nga Belize, Wilfred Elrington.

Belize e ka njohur Kosovën në muajin gusht të vitit 2008. Ambasadorja e Kosovës në Panama, Zana Rudi, tashmë është Ambasadore jo-rezidente e Kosovës në Belize, El Salvador, Honduras, Kostarikë si dhe Saint Kitts dhe Nevis.