Follow us on:

Një film dhe verëra nga Kosova prezantohen në Muajin e Frankofonisë në Panama

Panama, 11 mars 2019 – Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Panama, znj. Zana Rudi, së bashku me Ambasadorin e Francës, drejtuesit e Aleancës franceze në Panama si dhe shefat e misioneve anëtare në Frankofoni të akredituara në Panama hapën zyrtarisht Muajin e Frankofonisë. Aktivitete të ndryshme nga ambasadat pjesëmarrëse do të organizohen nga data 11 deri me 31 mars.

Këtë vit, Republika e Kosovës është pjesëmarrëse e barabartë me të gjitha këto shtete, ku kësaj radhe, prezantohet me filmin e metrazhit të shkurtër “Gardhi” me regjinë e Lendita Zeqirajt si dhe me prezantimin e verërave të Kosovës nga veraria "Kosova Wine".

Ambasadorja Rudi me këtë rast para të pranishmëve tha se kësaj radhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Panama do të ofrojë verëra nga Kosova nga veraria “Kosova Wine” si dhe shfaqjen e filmit të metrazhit të shkurtër “Gardhi” me regji të Lendita Zeqirajt.

“Është nder që Kosova merr pjesë përsëri në aktivitetet e kësaj organizate në Panama. Kësaj radhe Ambasada e Kosovës në Panama prezanton filmin e metrazhit të shkurtër “Gardhi” si dhe verërat e Kosovës nga “Kosova Wine”. Filmi “Gardhi” pasqyron kohën e pasluftës në Kosovë dhe sfidat e përditshme të disa segmenteve të shoqërisë për të realizuar dëshirat dhe liritë e tyre”, tha ambasadorja Rudi në hapjen e Muajit të Frankofonisë.

Ambasadorja Rudi gjithashtu foli për traditën e prodhimit të verërave në Kosovë duke ftuar trupin diplomatik dhe publikun e gjerë në shfaqjen e filmit dhe degustimin e verërave të Kosovës. 

Përveç prezantimit të Kosovës, edhe këtë vit, Muaji i Frankofonisë do të ketë një program të pasur me produkte dhe prezantime nga vendet si: Argjentina, Kanadaja, Zvicra, Meksika, Egjipti, Haiti, Maroku, Belgjika, Republika Dominikane, Kostarika e Uruguai.

Grupi i ambasadave të shteteve anëtare të Frankofonisë në Panama, pjesë e së cilës është edhe Ambasada e Kosovës në Panama, organizon këtë ngjarje të madhe, gjatë gjithë muajit mars, me 23 aktivitetet të ndryshme në fushën e arsimit, artit dhe kulturës, duke mundësuar publikut panamez të observoje aktivisht përkushtimin e këtyre vendeve për gjuhën dhe kulturën frankofone.

Të gjitha këto aktivitete janë të hapura për publikun e gjerë.

Republika e Kosovës është anëtare e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë nga nëntori i vitit 2014, ndërkohë që vitin e kaluar në Samitin e Frankofonisë në Jerevan të Armenisë është votuar që Republikës së Kosovës ti avancohet statusi nga anëtar vëzhgues në anëtar të asociuar.