Follow us on:

Ambasadorja Rudi i dorëzoi letrat kredenciale në Saint Lucia

Castries, 26 mars 2019 - Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Panama, znj. Zana Rudi, i dorëzoi sot letrat kredenciale te Guvernatori i Përgjithshëm i Saint Lucias, Sir Emmanuel Neville Cenac.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Ambasadorja Rudi tanimë si Ambasadore e parë e Kosovës në Saint Lucia shprehu falënderimet e Qeverisë dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës për njohjen dhe mbështetjen dhënë Kosovës nga Saint Lucia.

Duke ia përcjellë përshëndetjet e Presidentit të Kosovës, z. Hashim Thaçi Guvernatorit, Sir Emmanuel Neville Cenac, Ambasadorja Rudi theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për zgjerimin e bashkëpunimit të shumanshëm mes dy shteteve.

Ambasadorja Rudi gjatë takimit me Guvernatorin e Përgjithshëm, shprehu vullnetin e shtetit të Kosovës për avancimin e marrëdhënieve bilaterale me Saint Lucian dhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fusha të interesit të përbashkët duke mëtuar përafrimin e mëtejmë të dy popujve.

Nga ana e tij, Guvernatori i Përgjithshëm i Saint Lucias, Sir Emmanuel Neville Cenac, shprehu përkushtimin për përkrahjen e vazhdueshme të vendit të tij për Kosovën. Ai, gjithashtu, theksoi përkushtimin e institucioneve të Saint Lucias për bashkëpunim bilateral dhe mbështetjen e Kosovës në kuadër të organizatave multilaterale.

Gjatë vizitës në Saint Lucia, Ambasadorja Rudi do të ketë takim edhe me kryeministrin e Saint Lucia z. Allan Chastanet si dhe ministren e Punëve të Jashtme, znj. Sarah Flood Beaubrun.

Saint Lucia e ka njohur pavarësinë e Kosovës në gusht të vitit 2011. Me dorëzimin e letrave kredenciale, Kosova dhe Saint Lucias shënojnë një hap të mëtejmë drejt relacioneve miqësore dhe të bashkëpunimit midis dy vendeve.

Me akreditimin e Ambasadores Rudi si ambasadore jorezidente në Saint Lucia, Ambasada e Kosovës në Panama, rrit në shtatë numrin e shteteve në Amerikën Latine dhe Karaibe që mbulohen nga kjo Ambasadë.

Saint Lucia është një shtet ishull në pjesën lindore të detit të Karaibeve me një sipërfaqe prej 616 km2 dhe ka një popullsi prej rreth 165,510. Është shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara që nga viti 1979.