Follow us on:

Fillojnë aktivitetet e inaugurimit të Presidentit të Panamasë

Panama, 30 qershor 2019 – Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Panama, znj. Zana Rudi, me ftesë të Zëvendëspresidentes së Republikës së Panamasë, znj. Isabel de Saint Malo de Alvarado, mori pjesë të dielën në pritjen e organizuar për delegacionet e shteteve të ndryshme të cilat do të marrin pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri të Republikës së Panamasë, z. Laurentino Cortizo Cohen që mbahet 1 korrik.

Zëvendëspresidentja dhe njëherësh Ministre e Punëve të Jashtme, znj. Isabel de Saint Malo de Alvarado, pranoi letrat kredenciale duke i akredituar kështu delegacionet e shteteve të ndryshme për ta ndjekur ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri të Republikës së Panamasë, z. Laurentino Cortizo Cohen.

Ambasadorja Rudi në këtë pritje e falënderoi Zëvendëspresidenten znj. Isabel de Saint Malo de Alvarado për bashkëpunimin e ngushtë dhe përkrahjen e madhe që i ka dhënë Ambasadës së Republikës së Kosovës në Panama gjatë mandatit të saj.     

“Është nder për mua si Ambasadore e parë e Kosovës në Panama për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri të Panamasë,  një vend mik i Kosovës dhe ku kemi hapur ambasadën tonë të parë në këtë rajon. Kam pasur rastin në emër të Qeverisë së Kosovës dhe në emrin tim ta falënderoj Zëvendëspresidenten dhe Ministren e Punëve të Jashtme, znj. Isabel de Saint Malo de Alvarado dhe Qeverinë e Panamasë për mbështetjen dhënë Kosovës”, tha Ambasadorja Rudi.

Ambasadorja Rudi gjithashtu pati takime edhe me zëvendëspresidentin e El Salvadorit, z. Felix Ulloa, me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Kultit të Kostarikës, z. Manuel Ventura Robles me të cilët bisedoi për thellimin e bashkëpunimit bilateral dhe multilateral me këto dy vende mike ku ajo shërben si ambasadore jorezidente.

Në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri të Panamasë, pritet të marrin pjesë përfaqësues të shumë shteteve të botës, përfshirë Mbretin e Spanjës, presidentë, ministra të jashtëm dhe përfaqësues tjerë të lartë.