Follow us on:

Kosova mirëpret raportin për Venezuelën

Republika e Kosovës e mirëpret Raportin e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Venezuelën të lëshuar më 5 korrik dhe alarmohet nga gjetjet e tij.

Siç është vënë re në raport, shkelje të rënda të të drejtave të njeriut mbesin të përhapura në Venezuelë, ku Forcat Speciale të Maduros kanë vrarë 5287 persona në vitin 2018 dhe 1569 persona deri në maj 2019. Ne jemi posaçërisht të brengosur për personat që gjenden në situata dhe rajone të rrezikshme.

Ne e mirëpresim themelimin e Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara në Venezuelë dhe shpresojmë se kjo zyrë do të kontribuojë në përmirësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut në Venezuelë.

Republika e Kosovës është e tmerruar nga vrasja e pohuar e kapitenit të Flotës së Venezuelës Rafael Arevalo nga bashkëpunëtorët e Maduros, pasi që vet Kosova në të kaluarën e saj të afërt ka përjetuar akte të tilla kriminale nga një regjim i pamëshirshëm.

Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtarë që fuqishëm të dënojnë veprimet kriminale të kryera nga regjimi jo legjitim i Maduros.

Republika e Kosovës njeh presidentin e përkohshëm Guaido dhe Asamblenë Kombëtare të Venezuelës si autoritetet e vetme legjitime të Venezuelës dhe jemi të përkushtuar të punojmë me partnerët tonë të grupit Lima dhe shtetet tjera të rajonit për të mbajtur përgjegjës Maduron dhe bashkëpunëtorët e tij për krimet e kryera kundër njerëzve të pafajshëm në Venezuelë.