Follow us on:

Ambasada e Kosovës në Panama organizoi pritje lamtumirëse për Ambasadoren Rudi

Panama, 23 shtator 2019 – Ambasada e Republikës së Kosovës në Panama organizoi të hënën një pritje me rastin e përfundimit të misionit të Ambasadores, znj. Zana Rudi, ku mblodhi mysafir të shumtë në një koktej përshëndetës, duke i falënderuar të gjithë për bashkëpunimin e deritashëm.

Në këtë pritje ishin prezent të ftuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, Nunci Apostolik në Panama, njëherit dekan i trupit diplomatik, Ambasadorë të akredituar në Panama nga vende të ndryshme të botës si dhe akterë të ndryshëm të jetës publike e politike në Panama.

Ambasadorja Rudi në një fjalim përshëndetës foli për përvojat që nga ardhja në Panama për ta hapur misionin e parë dhe të vetëm të Kosovës në këtë rajon.

Ajo tha se nga ajo kohë, shumë gjëra kanë ndryshuar si në Panama ashtu edhe në Kosovë, por nga ajo ditë, tashmë të gjithë këtu dinë më shumë për Kosovën dhe prezencën tonë në rajon.

“Kam parë e përcejllur tri qeveri këtu në Panama. Që nga hapja e misionit tonë të parë dhe të vetëm deri më tash në këtë rajon, kemi krijuar shumë miq të Kosovës të cilët do t’i mbajmë përgjithmonë”, tha Ambasadorja Rudi, duke shtuar se tashmë ndihet se misioni i saj është përmbushur. 

Ajo tha se kujtimi i saj me Panamanë do të qëndroj gjithmonë, meqë në këtë vend të bukur, ka lindur edhe vajzën e saj.

Ambasadorja Rudi e falënderoi Qeverinë e Republikës së Panamasë për bashkëpunimin e shkëlqyer që ka pasur, në të tri qeveritë, prej kur është hapur Ambasada e Republikës së Kosovës në Panama.

Ajo tha se gjatë gjithë kësaj peridhe, janë bërë vizita të shumta, duke filluar nga ato të Presidentëve, Kryetarit të Kuvendit, Ministrave dhe zyrtarëve të tjerë qeveritar, nga ku janë nënshkruar një serë marrëveshjesh për bashkëpunim të dyanshëm. Sot Kosova ka më shumë miq dhe me ta fuqizohet edhe pozita e saj në këtë pjesë të botës.

Ambasadorja Zana Rudi ka shërbyer si e Ngarkuar me Punë që nga nëntori i vitit 2013, ndërkohë që në shkurt të vitit 2017 ajo ka prezantuar kredencialet Presidentit të Panamasë, duke u bërë Ambasadorja e parë e Kosovës në këtë vend. Më pas, ajo është akredituar edhe në shtatë shtete tjera: El Salvador, Honduras, Kosta Rikë, Belize, St. Kitts dhe Nevis, Shën Lucia dhe së fundit në Gajana. Përveç akreditimeve sekondare si këto, ajo ka mbuluar gjithë rajonin duke zhvilluar takime dhe vizita me vende njohëse si dhe ato që akoma nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës.